Barcelona po përpiqet me intensitet të lartë që ta regjistrojë Marcus Rashfordin në kohë për ndeshjen hapëse të sezonit të ri në La Liga, që zhvillohet këtë të shtunë mbrëma ndaj Mallorcas.
Sipas raportimeve të “Sky Sports”, bordi drejtues i klubit katalanas është duke shqyrtuar të gjitha opsionet financiare për ta përfunduar regjistrimin e yllit anglez.
Madje, anëtarë të bordit pritet të kontribuojnë edhe me fonde personale për të ndihmuar klubin në përmbushjen e kërkesave të La Ligës për Fair Play-in financiar, në mënyrë që Rashfordi të jetë i gatshëm për debutim.
Ndërkohë, portieri i ri Joan Garcia ka marrë dritën jeshile dhe pritet të jetë titullar në portë, duke zëvendësuar Marc-André ter Stegen, i cili po rikuperohet nga një lëndim.
Garcia ka kaluar me sukses të gjitha procedurat dhe është tashmë pjesë zyrtare e skuadrës.
Përveç Rashfordit, në pritje të regjistrimit mbeten edhe emra të tjerë si Wojciech Szczesny, Gerard Martin, Roony Bardghji dhe Marc Bernal.
Nëse këta lojtarë nuk regjistrohen deri më 1 shtator, kur mbyllet afati kalimtar veror, ata nuk do të kenë të drejtë të luajnë deri në janar kur hapet dritarja e ardhshme e transferimeve.
Barcelona po përballet edhe këtë sezon me kufizime të rrepta financiare dhe rregulla të ashpra nga La Liga për menaxhimin e buxhetit.
Klubi është në një garë kundër kohës për të siguruar që përforcimet e reja të jenë të gatshme për sfidat e para të sezonit, ku objektivat për titull dhe sukses në Evropë mbeten prioritete absolute.



