Marash Kumbulla është lojtari më i ri i Mallorcas, duke u bashkuar me skuadrën spanjolle në formë huazimi nga Roma, me një opsion blerjeje prej 6 milionë eurosh dhe 2 milionë të tjera në formë bonusesh, siç raportoi gazetari i njohur Fabrizio Romano.
Qendërmbrojtësi 25-vjeçar, i lindur në Itali, por me origjinë shqiptare, ka dhënë deklaratat e tij të para si lojtar i ri i klubit spanjoll, ku theksoi entuziazmin për këtë hap në karrierë.
“Jam shumë i lumtur që jam këtu. Fola me drejtorin e futbollit, Pablo Ortells, dhe me trajnerin, dhe ata kanë shumë besim tek unë. Më treguan shumë për projektin e Mallorcas dhe kur klubi më telefonoi, doja të isha këtu sa më shpejt të ishte e mundur,” u shpreh Kumbulla, i cili do të mbajë fanellën me numrin 4, transmeton AutoPortali.
Në konferencën e prezantimit, Kumbulla foli edhe për marrëdhënien e tij me Vedat Muriqin, sulmuesin kosovar të Mallorcas:
“Kam një marrëdhënie të mirë me Vedatin. Fola me të kur u takuam në kohën që luaja për Espanyolin. Dua ta shoh përsëri së shpejti.”
Kumbulla nuk është i panjohur për La Ligën, sezonin e kaluar (2024/25), ai ishte i huazuar te Espanyol, ku zhvilloi një sezon të suksesshëm me 35 paraqitje, 3 gola dhe mbi 2.900 minuta të luajtura.
Lojtari mbërriti në Palma ditën e diel dhe kreu me sukses vizitat mjekësore të hënën, përpara se të nënshkruante kontratën me klubin. /AutoPortali



