Ferrari F50 në ngjyrën e rrallë Giallo Modena thyen rekord botëror në ankand
F

Ferrari F50 në ngjyrën e rrallë Giallo Modena thyen rekord botëror në ankand

Vetëm dy Ferrari F50 në botë janë prodhuar në ngjyrën unike Giallo Modena, dhe një prej tyre sapo ka thyer rekordin botëror për këtë model në një ankand prestigjioz. Supermakina e rrallë, e cila ishte fillimisht në pronësi të stilistit të njohur Ralph Lauren, është shitur për 9.245 milionë dollarë, shumë më tepër se vlerësimet paraprake që luhateshin nga 6.5 deri në 7.5 milionë dollarë.

Ky Ferrari F50 është një nga vetëm 55 ekzemplarë të prodhuar për tregun amerikan dhe ka përshkuar më pak se 5,400 milje gjatë gjithë jetës së tij. E ruajtur në gjendje pothuajse perfekte, makina ka kaluar pjesën më të madhe të dy dekadave të fundit në një garazh privat në Virxhinia, pasi u shit nga Lauren në vitin 2003, transmeton AutoPortali.

Përpara nxjerrjes në ankand, automjeti iu nënshtrua një servisi të plotë zyrtar nga Ferrari, përfshirë zëvendësimin e gomave dhe sistemeve të frenimit  një masë që vetëm sa e rriti më tej vlerën e tij në sytë e koleksionistëve.

Me motorin e fuqishëm V12 të derivuar nga Formula 1, Ferrari F50 cilësohet si një nga supermakinat më të jashtëzakonshme të viteve ’90 dhe një objekt adhurimi për koleksionistët në mbarë botën. Kjo shitje rekord vetëm sa e konfirmon statusin e tij elitar në historinë e automobilizmit.

TË FUNDIT