Aksidenti në Gjermani: Tre të lënduar në përplasjen e autobusit nga Kosova me kamion
A

Aksidenti në Gjermani: Tre të lënduar në përplasjen e autobusit nga Kosova me kamion

Një aksident trafiku ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në autostradën A8 Salzburg–Mynih, në afërsi të daljes Irschenberg në Gjermani, ku është përfshirë një autobus me pasagjerë nga Kosova.

Autobusi i kompanisë Dubova Reisen, që po transportonte 41 pasagjerë, është përplasur me pjesën e pasme të një kamioni me rimorkio. Si pasojë e aksidentit, tre persona kanë pësuar lëndime të lehta, ndërsa të tjerët kanë shpëtuar pa pasoja serioze, shkruan AutoPortali.

Në një njoftim zyrtar, kompania ka bërë të ditur se pasagjerët e lënduar janë trajtuar në vendngjarje, ndërsa pjesa tjetër e udhëtarëve është transportuar drejt destinacionit të tyre me një autobus tjetër.

“Më datën 20 gusht 2025, rreth mesnatës, një nga autobusët tanë, gjatë udhëtimit në autostradën A8, pranë Irschenberg (Gjermani), është përfshirë në një aksident me një kamion. Në autobus udhëtonin 41 pasagjerë. Si pasojë e përplasjes, 3 persona janë lënduar lehtë, dhe të gjithë kanë marrë ndihmë mjekësore të menjëhershme në vendngjarje,” thuhet në komunikatën e Dubova Reisen.

Kompania u ka shprehur falënderime ekipeve të shpëtimit për reagimin e menjëhershëm dhe profesional, duke shtuar se janë duke bashkëpunuar ngushtë me autoritetet gjermane për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

“Siguria e udhëtarëve ka qenë dhe mbetet prioriteti ynë kryesor”, thekson Dubova Reisen.

Ndërkohë, sipas raportimeve të mediave gjermane, hetimet e para tregojnë se shoferi i autobusit e kishte vërejtur me vonesë kamionin e ndaluar në rrugë, dhe megjithëse kishte tentuar të devijonte në të majtë, përplasja me pjesën e pasme të rimorkios nuk ishte shmangur. Autoritetet gjermane po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

TË FUNDIT