Julian Alvarez një nga emrat më të përfolur të merkatos së fundit, mbërriti te Atletico Madrid me statusin e një ylli të vërtetë dhe pritshmëri të larta.
Sulmuesi argjentinas konfirmoi menjëherë vlerat e tij, duke u shndërruar në një nga lojtarët më vendimtarë të skuadrës në fazën ofensive.
Megjithatë, sezoni 2024/25 nuk përmbushi pritshmëritë edhe pse Alvarez pati paraqitje individuale mbresëlënëse, Atletico e mbylli sezonin pa trofe, me rezultate të paqëndrueshme që zhgënjyen si lojtarin, ashtu edhe tifozët.
Kjo ka bërë që të lindin raportime për dyshimet e para të lojtarit në lidhje me vazhdimësinë e tij në “Wanda Metropolitano”.
Sipas mediave argjentinase dhe spanjolle, Alvarez mbetet personalisht i lumtur në Madrid, por nuk është i bindur për forcën konkurruese të projektit të Atleticos, transmeton AutoPortali.
Fillimi i sezonit të ri nuk ka ndihmuar në qetësimin e situatës pavarësisht një goli spektakolar të tij, Atletico u mposht nga Espanyol, duke rritur shqetësimet brenda klubit.
Në këtë moment të paqartë, klube të mëdha evropiane kanë filluar të monitorojnë nga afër zhvillimet. Ndër to, Barcelona shihet si opsioni më konkret, pasi Alvarez ka shprehur në të kaluarën admirim të hapur për klubin katalanas.
Pavarësisht interesit të mundshëm, një transferim në “Camp Nou” nuk do të jetë i lehtë.
Atletico e vlerëson shumë lart sulmuesin argjentinas dhe nuk ka asnjë dëshirë për ta humbur. Megjithatë, Barcelona beson se vullneti i vetë lojtarit mund të jetë vendimtar në prishjen e ekuilibrave.
Shtypi spanjoll po i jep gjithnjë e më shumë hapësirë kësaj mundësie, ndërsa tifozët e Atleticos e ndjekin situatën me shqetësim, pasi ideja e një kalimi të Alvarez te një rival si Barça po bëhet gjithnjë e më reale.
Aktualisht, Alvarez është ende nën kontratë me Atletico, dhe përfaqësuesit e tij kanë qëndruar të heshtur rreth spekulimeve.
Por askush nuk e përjashton mundësinë e një transferimi në vitin 2026, sidomos nëse situata sportive e klubit nuk përmirësohet.
Për momentin, Alvarez mbetet i përkushtuar ndaj fanellës bardhekuqe, por opsioni “Barça” po fiton gjithnjë e më shumë peshë në horizontin e tij sportiv. /AutoPortali



