Një aksion i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në koordinim me Prokurorinë Themelore të Prishtinës, ka çuar sot në arrestimin e dy personave të dyshuar për korrupsion në procesin e testimeve për patentë-shoferë.
Burime të Sinjalit brenda hetimeve bëjnë të ditur se në pranga kanë rënë: Fatos Ferizi rreth 40-vjeçar, zyrtar – ekzaminer i pjesës teorike nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, dhe Muhamet Sogojeva rreth 38-vjeçar, instruktor në auto-shkollën “STOP” në Prishtinë. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë një testimi për patentë shofer (teorik), dyshja ka pranuar një shumë prej 850 euro ryshfet, në këmbim të kalimit të provimit për një kandidat.
Hetimet për këtë rast kishin nisur që në korrik 2025, duke përfshirë masa të posaçme të fshehta të hetimit. Pas sigurimit të provave të mjaftueshme, sot rreth orës 11:55, në Prishtinë, operacioni u finalizua me arrestimin e të dyshuarve, përcjell AutoPortali.
Gjatë aksionit janë sekuestruar: 850 euro, dy telefona celularë, si dhe dosja e kandidatit që shërben për procedura të mëtejshme hetimore.
Dy të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të prokurorit të rastit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë. Ndërkohë, janë marrë në pyetje edhe dy dëshmitarë, ndërsa hetimet po zgjerojnë rrethin e të përfshirëve.
Burime të Sinjalit konfirmojnë se procedura do të vazhdojë edhe ndaj personave të tjerë, që dyshohet se janë të përfshirë në këtë skemë.


 
                                    

