Boksierja e njohur kosovare, Donjeta Sadiku, së bashku me trajneren dhe selektoren Marjola Sallauka, janë duke marrë pjesë në kampin elitar stërvitor që po zhvillohet në Sheffield të Anglisë, nga data 13 gusht deri më 2 shtator.
Ky kamp, që mbledh boksierët më të mirë nga e gjithë bota, përfaqëson një mundësi të jashtëzakonshme për përgatitje fizike dhe teknike në prag të garave madhore ndërkombëtare, transmeton AutoPortali.
Pjesëmarrja në këtë kamp është një hap strategjik drejt përgatitjeve për Kampionatin Botëror të vitit 2025, i cili do të zhvillohet në Liverpool nga data 4 deri më 14 shtator.
Ky kampionat përfaqëson një nga ngjarjet më të rëndësishme në kalendarin ndërkombëtar të boksit, dhe Kosova synon të përfaqësohet denjësisht përmes Donjeta Sadikut.
Donjeta nuk është një emër i ri në arenën botërore të boksit, ajo ka dëshmuar veten si një prej sportisteve më të suksesshme në histori të sportit kosovar, duke fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror të vitit 2022 që u mbajt në Stamboll, si dhe një tjetër medalje bronzi në Kampionatin Evropian të po atij viti në Budva.
Gjatë vitit 2025, ajo ka shkëlqyer në disa nga turnetë më të njohur ndërkombëtarë, duke fituar tri medalje të arta, në turneun “Strandja” në Bullgari, në “Brussels Capital Tournament” në Belgjikë, si dhe në Kupën Botërore “Feliks Stamm” në Varshavë të Polonisë.
Këto rezultate janë dëshmi e formës së shkëlqyer që ajo po kalon dhe e përkushtimit të saj maksimal. /AutoPortali


 
                                    

