Donnarumma do t’i bashkohet Cityt, por fati i tij mbetet në duart e Ederson
D

Donnarumma do t’i bashkohet Cityt, por fati i tij mbetet në duart e Ederson

Gianluigi Donnarumma është gjithnjë e më pranë një transferimi të bujshëm në Premier League, te kampionët e Anglisë, Manchester City.

Sipas mediave italiane, portieri 26-vjeçar italian ka arritur një marrëveshje personale me klubin anglez dhe është i gatshëm t’i bashkohet skuadrës së drejtuar nga Pep Guardiola, transmeton AutoPortali.

Përvoja ndërkombëtare dhe cilësia e lartë e Donnarumma-s e bëjnë atë një përforcim të rëndësishëm për Cityn, që synon jo vetëm të ruajë dominimin në futbollin anglez, por edhe të forcohet për garat evropiane, ku objektivi kryesor mbetet një tjetër triumf në Ligën e Kampionëve.

Realizimi i kësaj lëvizjeje varet nga largimi i portierit aktual të Manchester City-t, Ederson, braziliani ka qenë një figurë kyçe në sukseset e viteve të fundit të klubit, por është raportuar se ai është i hapur për një aventurë të re.

Klubi turk Galatasaray ka shprehur interes konkret për ta transferuar, dhe marrëveshja mes palëve mund të hapë rrugën për ardhjen e Donnarumma-s në “Etihad Stadium”.

Derisa e ardhmja e Edersonit të qartësohet, Manchester City nuk do të mund të zyrtarizojë nënshkrimin me Donnarumma-n, gjithsesi, sinjalet janë pozitive dhe duket se ky është vetëm çështje kohe.

Në rast se transferimi realizohet, kjo do të ishte një nga lëvizjet më të mëdha të merkatos së verës, duke përfshirë dy prej portierëve më të mirë të dekadës së fundit në një zinxhir ndryshimesh të mëdha. /AutoPortali

TË FUNDIT