Barcelona me telashe të reja për “Camp Nou”
B

Barcelona me telashe të reja për “Camp Nou”

Barcelona pritet të zhvillojë ndeshjen e saj të parë në shtëpi për sezonin e ri më 14 shtator, kundër Valencias, një takim që fillimisht ishte planifikuar të shënonte rikthimin e shumëpritur në “Spotify Camp Nou”.

Megjithatë, duket se stadiumi emblemë i klubit nuk do të jetë gati në kohë, dhe tashmë janë shtuar dyshimet serioze rreth mundësisë për të luajtur në këtë impiant.

Përballë këtij skenari, Barcelona po shqyrton disa alternativa, por asnjëra nuk është ideale, transmeton AutoPortali.

Opsioni i parë, Montjuic, ku katalanasit luajtën sezonin e kaluar, është i pamundur për shkak të një koncerti që do të mbahet atje një natë para ndeshjes.

Një tjetër alternativë është Estadi Johan Cruyff, me një kapacitet prej vetëm 6,000 vendesh shumë pak për një klub si Barça dhe për një ndeshje të rëndësishme si ajo ndaj Valencias.

Një ide tjetër që është hedhur në diskutim është zhvendosja e ndeshjes në “Mestalla”, duke e kthyer atë në një përballje jashtë fushe për Barcelonën.

Megjithatë, La Liga është kundër kësaj zgjidhjeje, pasi do të nënkuptonte që Barça të luante katër ndeshje radhazi jashtë fushe në start të sezonit diçka që bie ndesh me rregullat dhe balancën e kalendarit.

Klubi katalanas kishte kërkuar më herët që të luante tri ndeshjet e para si mysafir, një kërkesë që u aprovua, por tashmë çdo ndryshim shtesë nuk po pranohet.

Sipas “Cadena Cope” dhe “Marca”, Barcelona nuk ka paraqitur ende një zgjidhje përfundimtare për La Ligën.

Nëse rikthimi në Camp Nou shtyhet sërish, opsionet më të mundshme janë Estadi Johan Cruyff ose stadiumi i Gironës, Montilivi, i cili ndodhet rreth një orë larg Barcelonës dhe ka një kapacitet prej afro 15,000 tifozësh.

Ndërkohë, “Marca” raporton se janë të pritshme vonesa të mëtejshme në përfundimin e punimeve në “Spotify Camp Nou”.

Klubi kishte planifikuar që më 25 gusht të dorëzonte Certifikatën e Përfundimit në Këshillin Bashkiak të Barcelonës për të marrë lejen zyrtare të hapjes së stadiumit, por ky proces ka hasur pengesa.

Situata mbetet e paqartë, dhe nëse nuk gjendet një zgjidhje e shpejtë, Barcelona mund të përballet me një tjetër fillim sezoni pa stadiumin e saj legjendar dhe me vështirësi logjistike për të pritur tifozët./AutoPortali

TË FUNDIT