Më 6 shtator, në Prishtina Mall, garë  e “show” në mes regjioneve
M

Më 6 shtator, në Prishtina Mall, garë  e “show” në mes regjioneve

Krahas garave kampionale të klubeve, në automobilizmin kosovar ka dhe pritet të ketë edhe risi interesante.

Një e tillë do të jetë të shtunën, më 6 shtator. Në parkingun jugor të qendrës tregtare “Prishtina Mall”, mbahet gara në disiplinën auto sllallom me vetura elektrike, ndërsa pjesëmarrës do të jenë pjesëtarë të institucioneve publike të  shtatë regjioneve të Kosovës.

Drejtori i garës, Ismet Rexhepi, njëkohësisht kryetar i klubit organizator Auto Moto Club Kosova (AMCK), pret që gara të jetë e dimensionit të shumëfishtë.

“Presim të ketë garë në rrafshin sportiv, kënaqësi, adrenalinë dhe argëtim. Kjo disiplinë në shumë vende anëtare të FIA-s ka filuar të aplikohet tash e gjashtë vjet. Përveç garës, synimi është që shumë shoferëve t’u jepet edhe një mundësi e dytë që eventualisht të provojnë veten edhe në gara profesionale e pse jo, që një ditë të përfaqësojnë vendin tonë në gara ndërkombëtare, siç ishte rasti në vitin 2022 në Marsejë e më 2024 në Valencia”, ka thënë Rexhepi.

Ai ka sqaruar se në garë do të marrin pjesë shtatë regjione (Prishtina, Mitrovica, Peja, Prizreni, Ferizaj, Gjilani e Gjakova) me nga 16 garues (8 femra e 8 meshkuj).

“Ne i inkurajojmë drejtoritë komunale të sportit që t’i marrin nga 16 garues dhe ata mund të jenë kushdo nga regjionet e tyre, me përjashtim të atyre që kanë licenca dhe që janë garues profesionalë”, ka theksuar drejtori i garës.

Rexhepi ka shtuar se në “Prishtina Mall” kushtet infrastrukturore janë mjaft të mira për këtë disiplinë, ndërsa organizatori do ta ketë përkushtimin maksimal për secilin pjesëmarrës.

Tre të parët nga të dyja konkurrencat do të nderohen me kupa, ndërsa dhjetë më të mirët me medalje. Sigurisht do të bëhet edhe renditja e regjioneve.

TË FUNDIT