Sergio Perez dhe Valtteri Bottas do të rikthehen në Formula 1 sezonin e ardhshëm pasi firmosën kontrata shumëvjeçare me ekipin e ri Cadillac, të mbështetur nga General Motors.
Të dy pilotët, që janë 35 vjeç dhe u larguan nga Red Bull dhe Sauber në 2024, kanë fituar së bashku 16 gara dhe janë ngjitur 106 herë në podium.
Cadillac do të përdorë motorët e Ferrarit deri në vitin 2029, kur GM synon të zhvillojë njësitë e veta motorike. Drejtuesit e ekipit thanë se përvoja dhe lidershipi i Perez dhe Bottas janë thelbësore për ndërtimin e skuadrës.
“Kjo nuk është vetëm një projekt garash, por një vizion afatgjatë”, tha Bottas.
“Jam krenar që jam pjesë e këtij projekti që nga fillimi”, shtoi Perez.
Cadillac do të jetë skuadra e pestë për Perezin në F1 dhe një fillim i ri për të dy pilotët me përvojë.



