Mjeshtrat gurskalitës në Gjirokastër po ripërtërijnë traditën e ndërtimit me kalldrëm të rrugëve të brendshme në lagjet karakteristike të qytetit. Rrugicat e shtruara me gur të gdhendur janë ndër simbolikat e Gjirokastrës, vlera të veçanta të trashëgimisë kulturore dhe tërheqëse për turistët.
“Gjirokastra është qytet i gurtë, e cila punën e parë me gurin prezantohet, është një traditë e mirë, është një traditë e pasur nga të parët”, tha Çaush Caca, gurskalitës.
“Mbajtja e traditës së vjetër është diçka shumë e mirë, dëshira që të mbahet tradita e vjetër e murit të gurit, e restaurimeve të reja duke mbajtur bazë traditën, janë diçka muzeale,të bukura, të tërheqshme edhe për turizmin sigurisht”, shtoi Albert Halimi, gurskalitës gjithashtu, shkruan Euronews.
Domosdoshmëri është përcjellja e kësaj tradite të veçantë tek të rinjtë. Aktualisht në Gjirokastër mungojnë gurskalitësit e rinj në moshë ndërsa ky zanat nuk preferohet prej tyre.
Caca shtoi se : “Të rinjtë nuk është se e kanë me shumë dëshirë por ka dhe të rinj që angazhohen me këtë punë sepse është vend i gurit dhe do të nxjerrë njerëz, ustallarë të gurit qoftë nga dëshirat por edhe nevojat që kanë njerëzit që dëshirojnë një zanat që të jetojnë”.
Albert Halimi theksoi rëndësinë e ruajtjes së një radite të tillë.
“Duhet të trashëgohet brez pas brezi, të rinjtë nuk e kanë dhe aq dëshirë por ka dhe nga ata që kanë dëshirë, kanë pasion për traditën e vjetër, për muret, për gurin”.
Tashmë rijetësimi i zanateve të traditës cilësohet një vlerë e shtuar për Gjirokastrën turistike por edhe mundësi punësimi kryesisht për moshat e reja. /AutoPortali



