Pas pushimit veror, Formula 1 kthehet këtë fundjavë me Çmimin e Madh të Holandës në Zandvort. Max Verstappen, i mundur vitin e kaluar nga Lando Norris në pistën e shtëpisë, kërkon të ringjallë shanset për titull, ndërsa McLaren dominon sezonin me Oscar Piastrin dhe Norrisin në krye të renditjes.
Piastri udhëheq me 284 pikë, vetëm 9 më shumë se Norris, ndërsa Verstappen ndodhet 88 pikë pas liderit dhe ka nevojë për një mrekulli për të hyrë sërish në garën për titullin.
Ferrari, pa asnjë fitore këtë sezon, shpreson të ndryshojë gjithçka në Zandvort ose në eventin e pasardhës, në garën e shtëpisë në Monza. Charles Leclerc dhe Lewis Hamilton renditen respektivisht në vendin e pestë dhe të gjashtë në klasifikim, por me një diferencë të madhe pikësh midis tyre, 151 pikë për monegaskun dhe 109 për britanikun.
Objektivi i kokëkuqes është fitorja e parë sezonale dhe ruajtja e vendit të dytë në kampionatin për konstruktorë. Ndërkohë Mercedesi ka sytë te i riu Andrea Kimi Antoneli, me 19-vjeçarin që përgatitet për një rikthim të fuqishëm pas një rënieje në formë në garat e fundit.

Pas një fillimi mbresëlënës me 48 pikë në 6 garat e para, italiani ka mbledhur vetëm 16 pikë në 8 garat pasuese. Sfida e tij është të ngushtojë diferencën ndaj George Rusell (172 pikë me 64) dhe të rikthehet në podium.
Kështu Formula 1 do të ndezë motorët për pjesën e dytë të sezonit, me Botërorin që vijon me dy gara kyçe: në Holandë këtë të diel dhe Monza më 7 shtator, evente që garantojnë spektakël.



