Ndërkohë që po punohet me të madhe në përgatitjet për garat Motorsport 2024, kanë nisur edhe hapat e parë për ato që do të mbahen dy vjet më vonë, në vitin 2026.
Vendet që synojnë të jenë mikpritëse duhet që deri me 31 gusht 2024 t’i dorëzojnë aplikacionet e tyre.
Që nga edicioni i parë, Lojërat e Motorsportit FIA janë rritur dukshëm, si për nga niveli i ortganizimit, ashtu edhe për nga numri i disiplinave dhe pjesëmarrësve.
Në Roma 2019 ishin gjashtë disiplina dhe garues nga 52 vende, ndërsa në Marseja 2022 ishin 16 disiplina me garues nga 72 vende.

Sivjet, në tetor, garat do të mbahen në Valencia të Spanjës dhe pritet të marrin pjesë 800-1000 garues nga 80 vende të ndryshme nga e mbarë bota.
“Rritja e Lojërave Motorsport FIA nga Roma dhe Marseja ishte e pabesueshme dhe ne do të bëjmë një tjetër hap të madh me Valencia në tetor të këtij viti. Dy edicionet e para u mbajtën në Evropë dhe Spanja është në radhë, por synimi ynë është të zgjerohemi dhe në të ardhmen Lojërat e Motorsportit FIA të organizohen në vendet e gjithë botës”, ka thënë njëri nga ideatorët ekëtyre lojërave, Stephane Ratel.



