Selektori i Kombëtares së Zvicrës, Murat Yakin, ka komentuar për herë të parë publikisht vendimin e mesfushorit të ri Leon Avdullahu, i cili së fundmi ka zgjedhur të përfaqësojë Kosovën, duke lënë pas mundësinë për të luajtur për Zvicrën.
Avdullahu, që është pjesë e skuadrës gjermane Hoffenheim, ka qenë pjesë e të gjitha grupmoshave të Zvicrës dhe konsiderohej si një nga talentet më premtuese në mesin e brezit të ri.
Vendimi i tij për të veshur fanellën dardane ka shkaktuar reagime në opinionin sportiv zviceran, veçanërisht pasi ai është rritur dhe formuar në sistemin zviceran të futbollit, transmeton AutoPortali.
Në një konferencë për shtyp, Yakin u shpreh se Zvicra kishte punuar shumë për të bindur Avdullahun të qëndronte pjesë e projektit të saj kombëtar.
“Sa e di unë, kemi punuar fort për të gjatë pranverës. Natyrisht, me kalimin në Bundesligë, tash i ka synimet dhe pritshmëritë e veta. E kam një ndjenjë që nuk ishte e lehtë për të. Duhet ta pranojmë faktin se ka vendosur ta ndërrojë kombëtaren”, tha Yakin.
Selektori i Zvicrës e cilësoi largimin e Avdullahut si një zhgënjim, duke lënë të kuptohet se mesfusha e Zvicrës është e stërmbushur me talente dhe kjo mund të ketë ndikuar në vendimin e tij.
“Natyrisht, është një zhgënjim për ne, mëkat që ka ndodhur kjo. Interpretimi im është se ai ka konkurrencë të madhe në mesfushë (tek Zvicra) dhe ka dëshirë të luajë menjëherë (tek Kosova)”, shtoi ai.
Yakin gjithashtu zbuloi se kishte zhvilluar një bisedë të gjatë me lojtarin në pranverë, ku i kishte paraqitur perspektivat që mund të kishte me kombëtaren zvicerane.
“E pata një bisedë të gjatë me të në pranverë dhe ia shpjegova perspektivat sportive. Siç e shoh unë, ai nuk e ka zgjedhur rrugën sportive. Nëse dikush ndihet ndryshe për kulturën, ne nuk mund të ndikojmë këtu”, përfundoi ai.
Avdullahu pritet të bëjë debutimin e tij me Kosovën që në muajin shtator, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, ku për ironi të fatit, njëra nga kundërshtaret do të jetë pikërisht Zvicra, së bashku me Suedinë. /AutoPortali



