A mund të jetë lundrimi detar pa emetime? Kompania norvegjeze Havila Voyages ka njoftuar se planifikon të nisë këtë vjeshtë një udhëtim 12-ditor përgjatë itinerarit Bergen–Kirkenes–Bergen, i cili mund të bëhet kroçera më e gjatë klimë-neutrale në botë.
Udhëtimi, me një gjatësi prej 9,260 kilometrash, është pjesë e një bashkëpunimi mes Havila Voyages dhe ofruesit të teknologjisë detare HAV Group, me synimin final për të arritur zero emetime, shkruan Euronews.
“Jemi në fazën e planifikimit për të testuar një udhëtim të plotë këtë vjeshtë duke përdorur biogaz në kombinim me bateritë tona të mëdha,” tha Bent Martini, CEO i Havila Voyages, gjatë konferencës politike Arendalsuka në Norvegji.
Ai shtoi se kompania është në bisedime me furnitorë për të siguruar sasi të mjaftueshme biogazi për të mbushur tërësisht rezervuarët, duke shprehur besim se projekti do të realizohet.
Aktualisht, anijet e kompanisë mund të lundrojnë katër orë të plota pa emetime vetëm me bateri. Testi i ardhshëm do të kombinojë përdorimin e biogazit një karburant i rinovueshëm që prodhohet nga mbeturinat organike me ruajtjen e energjisë në bateri, duke synuar neutralitet klimatik në gjithë itinerarin.
Qëllimi afatgjatë i Havila është që deri në vitin 2030, linja Bergen–Kirkenes–Bergen të jetë krejtësisht pa emetime.
Kroçerat nën presion për gjelbërim
Iniciativa e Havila vjen në kohën kur industria e kroçerave përballet me presion në rritje për të reduktuar ndotjen. Sipas Këshillit Ndërkombëtar për Transport të Pastër, kroçerat gjenerojnë emetime për pasagjer-kilometër më të larta se avionët, trenat apo tragetet.
Në vitin 2022, edhe kroçerat më efikase prodhuan rreth 250 gramë CO₂ për pasagjer-kilometër, ndërsa një fluturim i gjatë llogaritet në rreth 80 gramë, një shërbim kombëtar treni 41 gramë dhe tragetet 19 gramë.
Në këtë sfond, kompanitë po garojnë me teknologji të reja. Hurtigruten po zhvillon një kroçerë me zero emetime që pritet të lansohet në 2030, ndërsa Viking ka nisur ndërtimin e kroçerës së parë me hidrogjen, Viking Libra, që do të jetë gati vitin e ardhshëm.
CEO i Havila, Martini, bëri thirrje për rregullore më të rrepta nga autoritetet norvegjeze, duke argumentuar se anijet e linjës Bergen–Kirkenes–Bergen mund të shërbejnë si shembull për tranzicionin e gjelbër në industrinë e transportit detar.
“Teknologjia ekziston, mundësitë janë aty. Ajo që mungon është vullneti për të investuar. Me kushte të qarta mjedisore nga autoritetet, kushdo që do të operojë në këtë linjë do të detyrohet të përshtatet,” tha ai. /AutoPortali