14 vatra zjarri janë regjistruar gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri. Prej tyre tre janë ende aktive, dy nën monitorim ndërsa pjesa tjetër është izoluar dhe shuar.
Një prej vatrave aktive është në fshatin Delisuf të Vlorës. Prej 25 gushtit atje vijon zjarri në pyllin e Pishë-Poros. Fatmirësisht për momentin zjarri ka intensitet të ulët. Një tjetër vatër është edhe ajo në fshatin Miras të Devollit, shkruan TV Klan, transmeton AutoPortali.
Në total, për të dyja vatrat janë angazhuar 120 forca në terren.
Ndërkohë në monitorim janë tre vatra. Në Bogovë të Skraparit zjarri në pyllin me pisha është vënën nën kontroll, por mbahet në monitorim nga zjarrfikësit dhe policia bashkiake.
Në Pezë Helmës, vijojnë të monitorohen vatrat e izoluara në zonën e Kodrave të Çaushit. Edhe në Parkun Natyror të Gërmenjit në Korçë, monitorohet vatra e riaktivizuar në zonën e piramidave 14-15.
“Strukturat e Mbrojtjes Civile, zjarrfikësit, bashkitë, Forcat e Armatosura dhe vullnetarët mbeten të angazhuar në terren për të kontrolluar situatën dhe për të parandaluar përhapjen e flakëve”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.



