Gazetarë, mësues e profesionistë të tjerë në Kosovë, po detyrohen çdo ditë e më shumë për të mbajtur një punë të dytë në mënyrë që t’i përballojnë kostot e larta të jetesës, të cilat nuk i mbulon paga bazë.
Arta*, 30 vjeçare, ka tashmë katër vite që mban dy punë njëkohësisht. Me kontratë të rregullt është e punësuar në një media vendore në Prishtinë si gazetare, ndërsa gjatë vikendeve dhe ndonjë pasdite të lirë, shkon dhe pastron nëpër disa shtëpi private.
Puna e dytë, ndonëse pa kontratë, ajo thotë se ka qenë burim i domosdoshëm i të ardhurave për të përballuar shpenzimet mujore në Prishtinë.
“Kur kom fillu punën si gazetare, kam qenë më e entuziazmuar për punën dhe nuk më interesonte shumë paga. Por kjo zgjati vetëm dy vitet e para – pastaj kuptova se entuziazmi nuk m’i paguan qiranë dhe shpenzimet e tjera”, rrëfen ajo për Buletinin Ekonomik.
Paga që merrte në vitin 2019 ishte 250 euro në muaj e që nuk i mjaftonte as për shpenzimet e veta personale.
“Në vend se me ndërru punën, e kam pa si zgjidhje të përkohshme me fillu me pastru nëpër disa shtëpi private. Në fakt, familjet ku shkoja i njihja prej më herët,” shpjegon ajo.
Por, e përkohshmja u shndërrua në katër vjet punë të pandërprerë për Artën.
“Edhe part-time me kërku ndonjë punë tjetër, në ndonjë sektor tjetër, të pengon në punën e parë sepse kërkohet prezenca jote çdo ditë pune,” thotë ajo. “Kështu, kjo më është përshtatë me kohën time.”
Puna si mirëmbajtëse, sado që është pak e mundimshme, ajo thotë se nuk i pengon në profesionin e saj si gazetare.
Tashmë, në punën e parë Arta merr 475 euro neto (rritje graduale nga 2019-ta), ndërsa nga mirëmbajtja fiton deri në 360 euro në muaj nëse punon tri herë në javë. Gjithsej ajo arrin 835 euro në muaj përmes mbajtjes së dy punëve.
Por edhe këto shuma, ajo thotë se nuk i japin ndjesinë e sigurisë financiare. Me to, ajo paguan një pjesë të qirasë së banesës në Prishtinë, si dhe shpenzimet e energjisë dhe ato komunale, e që sillen rreth 350-400 euro të gjitha së bashku. Kurse me pjesën tjetër të parave mbulon shpenzimet e saja personale dhe iu ndihmon prindërve të saj në fshat që janë të papunë.
Mijëra punëtorë të deklaruar nga shteti por mijëra të tjerë të harruar
Në Kosovë, punësimi dytësor (ose puna sekondare) rregullohet specifikisht vetëm për anëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ndërsa për sektorin civil nuk ka një rregullore të veçantë të quajtur “punë sekondare”.
Pra, Ligji i Punës në Kosovë nuk e ndalon në mënyrë eksplicite punën sekondare, por as nuk e trajton në detaje, dhe nuk ka dispozita të qarta për orarin total të punës kur një punonjës ka dy punë. Si i tillë, nuk ka as mbrojtje specifike për këtë kategori.
E ndërkohë që Qeveria deklaron përparime në formalizimin e ekonomisë, statistikat nuk tregojnë për ulje të inaktivitetit. Kjo tregon se ose formalizimi nuk po ndodh në përmasat e deklaruara, ose një pjesë e madhe e popullsisë po e përjeton punën në formën më të pasigurt të saj — në punë të dytë, të përkohshme, e të pa dokumentuar.
Në këtë mes, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) thotë se nuk kanë mekanzima për ta matur në ç’nivel është shkalla e informalitetit në vend dhe se sa punëtorë punojnë pa kontrata e të pambrojtur nga ligji. Megjithatë, e njëjta raporton se nga janari deri në qershor 2025, mbi 20 mijë njerëz në Kosovë kanë marrë pagë sekondare të deklaruar. Ky është një trend që ka shënuar rritje çdo vit.
Sipas statistikave të tyre, në vitin 2022, për periudhën e njëjtë, numri total i të punësuarve që kanë marrë pagë sekondare, ka qenë 15, 688, më 2023 17, 278, ndërsa në vitin 2024 ishte 18, 641. Numri më i madh i tyre vazhdon të mbetet në sektorin e shërbimit, tregtisë me shumicë dhe pakicë, si dhe aktivitete të punës sociale.
“Mbasdite dikushi, e paradite kërkushi”
Rasti i *Artës nuk është i vetëm tek gazetarët që sapo nisin punën, e veçanërisht te gratë, të cilat shpesh detyrohen të mbajnë më shumë se një punë për të përballuar jetesën.
Një realitet që shpesh fshihet pas titujve profesionalë, por që flet shumë për gjendjen ekonomike në vend. Si i përafërt është edhe rasti i *Marigonës, një gazetare tjetër në një televizion në Kosovë, e cila për afro dy vjet ka mbajtur dy punë njëkohësisht.
Paradite punonte në një market me orar të shkurtuar, ndërsa mbasdite vazhdonte turnin e dytë si gazetare e rregullt në punën bazë.
Për dallim me *Artën, *Marigona ka pasur kontratë pune për orarin e pjesshëm që ka mbajtur, dhe i janë paguar tatimet dhe kontributet pensionale sipas ligjit.
Marigona, rreth të 30-tave, kishte filluar punën menjëherë pas studimeve të gazetarisë, por shtrëngimet ekonomike e detyruan të ndryshojë shpejt rrjedhën e ditës së saj.
Ajo dhe bashkëshorti i saj, para dy vitesh, kishin vendosur të blinin një banesë për të jetuar si qift që sapo kishin nisur jetën bashkë, por edhe për të mos udhëtuar më çdo ditë nga qyteti i lindjes për në Prishtinë.
“Kur kemi hy në kredi, mu më është ndalë mbi 80% e pagës që e kisha në punën primare. E kam pas me patjetër me e mbajt edhe një punë të dytë”, tregon Marigona për Buletinin Ekonomik.
Puna e saj e dytë në market i siguronte vetëm 135 euro në muaj, por për të, ishte një ndihmë për të mbuluar sadopak disa shpenzime të përditshme. Njësoj, edhe burri i saj prej atëherë mban dy punë paralelisht.
Kjo gjendje, megjithatë ka lënë vrragë në shëndetin e Marigonës.
“Ka qenë shumë vështirë me i mbajt dy punë në të njëjtën kohë, më ka shkaktu migrenë, lodhje, stres, pagjumësi. Kam punu çdo ditë të javës, veç të shtunave e të dielave kisha pushim”, rrëfen Marigona, duke potencuar se pasojat ende i ndjen në trup.
Dhe si të mos mjaftonin lodhja fizike dhe emocionale, ajo thotë se u përball edhe me një tjetër barrë – paragjykimin.
“Kam pas shumë paragjykime prej të njohurve. Kam pas edhe fjalë se ‘qysh ti mbasdite dikushi e paradite kërkushi’; po kur e din pse je tu e ba, thjesht je e qetë. E kom ditë që po ndërtoj diçka temen, pa i lyp askujt kurgjo”, thotë ajo.
Fatmirësisht, pas një viti e gjysmë, sipas një politike të brendshme të bankës, Marigonës i vjen një ofertë për ulje të këstit të kredisë dhe kjo ia kishte mundësuar asaj të largohej nga puna dytësore.
Ndërsa sot, ajo thotë se është më e kujdesshme në balancimin e jetës dhe punës.
“Po të më ndodhte sërish, nuk do ta mbaja një punë të dytë – do të kërkoja një vend tjetër ku vlerësohem më shumë. Por, nëse vec nuk përmirësohen kushtet, jam e gatshme edhe ta lë gjithë profesionin e gazetarisë, sado që gjithmonë ka qenë ëndrra ime”, përfundon ajo.
Mësimdhënës, por edhe elektricist.
Në tregun informal ishte futur pa u menduar shumë edhe Besniku*, 37 vjeçar, më 2020.
Që prej vitit 2012, Besniku punon si mësimdhënës në një shkollë të mesme në Podujevë, por prej vitit 2020 e tutje punon edhe si instalues elektrik. Paga e mësimdhënësit, ai thotë se nuk mjafton për të përballuar shpenzimet e familjes së tij pesë anëtarëshe.
“Duke pas parasysh inflacionin që prej pandemisë dhe rritjen e shpenzimeve tjera për çdo vit, paga jonë është hala e pamjaftueshme me i mbulu të gjitha nevojat familjare,” thotë ai.
“Këto janë dhe arsyet pse kom vendos me u marr edhe me një punë tjetër, si elektricist, në mënyrë që me i përtheku gjanat edhe mos me mendu çka po lajmë anash këtë muaj”.
Puna e dytë e Besnikut filloi në prill të vitit 2020, gjatë periudhës kur shkollat ishin në pushim për shkak të pandemisë (Covid-19), dhe ka vazhduar deri në ditët e sotme.
Ai punon kryesisht gjatë vikendeve, por edhe në periudhat kur shkollat janë në pushim vjetor.
“Puna e dytë nuk më pengon aspak në atë të parën, sepse nuk punoj gjatë ditëve kur kam mësim,” sqaron Besniku.
Megjithatë, orari i punës së dytë ai thotë se është i gjatë dhe i lodhshëm. Ai fillon punën në orën 08:00 të mëngjesit dhe mbaron në 18:00 të mbrëmjes, që ndikon shumë në kohën e lirë dhe kujdesin për familjen.
“Të gjitha obligimet e shtëpisë i merr mbi supe bashkëshortja, kujdesin për tre fëmijët, ushqimin, mirëmbajtjen etj,” tregon ai.
Edhe bashkëshortja e Besnikut punon në arsim, si mësuese e ciklit të ulët në një shkollë fillore po ashtu në Podujevë.
“Ne udhëtojmë çdo ditë Prishtinë-Podujevë në orare të ndryshme. Është vështirë të mbahet balanci kush kujdeset për fëmijët apo kush i përgatit për shkollë e çerdhe,” rrëfen ai.
Si vlerësim të përgjithshëm, ai mendon se nuk është gjëja e duhur që një mësimdhënës, si njëra prej figurave kyçe në shoqëri, të detyrohet të mbajë edhe një punë të dytë për të përballuar shpenzimet.
“Thjesht, nëse do të kishim pagën prej 1,000 deri në 1,500 euro, nuk do të punoja një punë të dytë. Po me 600-650 euro, nuk mundesh me mbulu kurgja sot. Je i detyruar të mbash edhe një punë.”
Ai thekson se edhe shumica e kolegëve të tij në shkollë punojnë nga dy punë, pasi paga e mësimdhënësve është e pamjaftueshme.
“90% e kolegëve ku punoj mbajnë ka dy punë. Jeta është bërë shumë e shtrenjtë, sidomos në Prishtinë; me ushqime, shpenzime komunale, transport dhe çerdhe, shumë më të shtrenjta sesa në Podujevë shembull,” thotë Besniku.
“Vetëm 1 në 5 paga në Kosovë mund të cilësohet si pagë e jetesës”
Puna dytësore si fenomen në Kosovë, ndonëse nuk reflektohet në mënyrën e qartë në statistikat zyrtare, ajo ndihet në realitetin e përditshëm: njerëz që punojnë në ndërtim gjatë ditës dhe bëjnë transport pas pune; mësimdhënës që japin kurse private; gra që punojnë në administratë dhe qepin rroba në shtëpi për klientë të rastësishëm, e shumë të tjera. Si punë e tillë, ajo nuk është më shenjë ambicieje apo dëshire për të shtuar të ardhurat. Për shumë qytetarë të Kosovës, ajo është kthyer në një domosdoshmëri, përballë pagave të ulëta dhe rritjes së vazhdueshme të kostos së jetesës.
Edison Jakurti, njohës i ekonomisë, thekson se puna dytësore mund të jetë një tregues shtesë i problemeve strukturore në tregun e punës në Kosovë, pasi sinjalizon se të ardhurat nga puna kryesore nuk korrespodojnë me koston e jetesës.
Jakurti, autor edhe i raportit ”Një pagë jetese për punëtorët në Kosovë: Përpjekja për një jetesë bazike por të dinjitetshme” (2024), i publikuar nga Instituti “Musine Kokalari”, shpjegon se ekzistojnë disa arsye thelbësore që shtyjnë qytetarët të angazhohen në më shumë se një punë. Së pari, paga e jetesës për një individ në Kosovë në vitin 2024, është llogaritur në €816 bruto (€720 neto), ndërsa për një familje katër anëtarëshe €1,295 bruto (€1,152 neto). Këto shifra, siç thotë ai, janë dukshëm më të larta sesa paga mesatare dhe ajo minimale aktuale, çka tregon se shumë njerëz nuk arrijnë të përballojnë shpenzimet mujore vetëm me një punë.
Sipas tij, aktualisht vetëm 1 në 5 paga në Kosovë, mund të cilësohet si pagë e jetesës. Kjo gjendje, e përkeqësuar nga inflacioni i lartë, sidomos në kategorinë e ushqimeve dhe energjisë, i ka detyruar qytetarët të kërkojnë punë të dytë për të mbijetuar.
‘Në këtë kontekst, për shumë njerëz, puna e dytë nuk është zgjedhje për të përmirësuar standardin e jetesës, por një domosdoshmëri për të siguruar mbijetesën ekonomike”, thotë Jakurti për Buletinin Ekonomik.
Të njëjtin mendim si Jakurti, ndan edhe Jakup Bellaqa, njohës po ashtu i ekonomisë. Sipas Bellaqës, puna e dytë në Kosovë, është shenjë e mbijetesës, dhe jo e mirëqenies.
“Nisma e marrjes së të punësuarve në Kosovë edhe me një punë shtesë, është një dëshmi e qartë se pagat, si në sektorin privat ashtu edhe në sektorin publik, nuk janë të mjaftueshme që të mbulojnë koston e shpenzimeve të ekonomisë familjare,” thekson ai për Buletinin Ekonomik.
Në ndërkohë, Jakurti vlerëson se puna dytësore mund të ofrojë një zgjidhje të përkohshme financiare, por e njëjta vjen me pasoja: redukton kohën e lirë, rrit lodhjen dhe ndikon negativisht në mirëqenien personale e familjare.
As rritja e pagës minimale në 350 euro bruto nuk e ka zbutur ndjeshëm këtë hendek, shton Jakurti. Sipas llogaritjeve të tij, ajo përbën vetëm 43% të pagës së jetesës për një individ, ndërsa dy paga minimale në një familje katër anëtarëshe, mbulojnë vetëm 54% të nevojave mujore në Kosovë.
Sipas Jakurtit, edhe inflacioni i viteve të fundit e ka gërryer ndjeshëm fuqinë blerëse në Kosovë (sipas ASK-së, inflacioni në korrik 2025 ishte për 4,3% më i lartë se në korrikun e vitit të kaluar). Për shembull, vlera reale e €100 në qershor të vitit 2019 – viti i fundit para fillimit të pandemisë Covid-19 – ishte rreth €95, ndërsa në qershor të vitit 2025, Jakurti vlerëson se ka rënë në rreth €74.
Në kontekstin e Kosovës, mungesa e një page të jetesës si në sektorin privat, ashtu edhe në atë publik, bën që shumë të rinj dhe të reja, si shembulli i *Artës, *Marigonës dhe *Besnikut, dhe jo vetëm, të kërkojnë forma shtesë të të ardhurave për të përballuar shpenzimet elementare të jetës, qoftë kjo edhe në mënyrë informale.
“Pagat duhet të rriten në Kosovë edhe në sektorin privat. Ne si punëtorë nuk duhet të detyrohemi të mbajmë dy punë për me i përballu disa shpenzime bazike”, thotë shkurt Arta.
Shënim: Arta*, Marigona* dhe Besniku*, janë emra të përdorur për të ruajtur anonimitetin.