Turneu FIBA EuroBasket 2025 ka nisur me një tronditje të madhe Gjeorgjia ka mposhtur kampionët në fuqi të Evropës, Spanjën, me rezultatin bindës 83-69, duke dhënë sinjale të forta që në ditën e parë të garave.
Ajo që e bën fitoren edhe më të jashtëzakonshme është fakti se Gjeorgjia kishte humbur të gjitha gjashtë ndeshjet përgatitore përpara nisjes së turneut, transmeton AutoPortali.
Megjithatë, skuadra e trajnerit Aleksandar Džikić e la pas çdo dyshim dhe e përballoi me sukses çdo sfidë të paraqitur nga një Spanjë me emër dhe përvojë.
Ylli i ndeshjes ishte padyshim Sandro Mamukelashvili, i cili tregoi një paraqitje të shkëlqyer në të dy krahët e fushës.
Ai regjistroi 19 pikë, 7 ribaunde dhe 6 asistime, duke udhëhequr ekipin drejt një prej fitoreve më domethënëse në historinë e basketbollit gjeorgjian.
Kjo fitore vendos Gjeorgjinë në një pozicion shumë të favorshëm për kualifikimin nga Grupi C, ku objektivi i tyre është të renditen ndër katër skuadrat e para, që sigurojnë kalimin në fazën tjetër.
Sfida e ardhshme për Gjeorgjinë nuk është më e lehtë ata përballen me Italinë, një tjetër ekip i fortë dhe pretendent për vendet e larta.
Një fitore ndaj italianëve do ta çonte Gjeorgjinë në një start perfekt 2-0, që do të afronte ndjeshëm ekipin me një biletë për fazën finale në Riga./AutoPortali



