Tifozët polakë sulmohen gjatë largimit nga Tirana
T

Tifozët polakë sulmohen gjatë largimit nga Tirana

Tirana u përball me tensione të mëdha të enjten mbrëma, si pasojë e sjelljeve provokuese dhe veprimeve të dhunshme të një grupi huliganësh polakë, përkrahës të ekipit Jagiellonia Białystok.

Këta tifozë udhëtuan drejt kryeqytetit shqiptar për të ndjekur ndeshjen kundër Dinamo Cityt, në kuadër të raundit “play-off” të Conference League.

Sfida përfundoi me rezultat 1:1, duke i dhënë mundësinë ekipit polak të kualifikohet më tej, për shkak të fitores në ndeshjen e parë.

Megjithatë, atmosfera sportive u zbeh nga sjelljet skandaloze të huliganëve polakë, të cilët janë të njohur ndërkombëtarisht për qëndrimet e tyre ekstremiste, nacionaliste dhe anti-shqiptare, transmeton AutoPortali.

Që në orët e para të qëndrimit të tyre në Tiranë, ata shfaqën sjellje provokuese në zona të frekuentuara të qytetit.

Një incident i rëndë ndodhi në afërsi të statujës së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti, Skënderbeu, ku një nga tifozët polakë kreu një veprim të turpshëm dhe thellësisht fyes për shqiptarët.

Ky akt u filmua dhe u përhap në rrjete sociale, duke shkaktuar indinjatë të gjerë.

Si pasojë, disa të rinj shqiptarë ndërhynë menjëherë dhe e sulmuan fizikisht huliganin në fjalë.

Gjatë vetë ndeshjes, e cila u zhvillua në stadiumin “Elbasan Arena”, është raportuar për përleshje mes vetë tifozëve polakë në tribunat e dedikuara për ta.

Shkaku i këtyre përplasjeve nuk është bërë i ditur zyrtarisht, por duket se edhe brenda grupit të tyre ka pasur tensione.

Situata kulmoi pas përfundimit të takimit, kur autobusi që transportonte huliganët polakë u sulmua gjatë largimit nga stadiumi.

Raportet fillestare sugjerojnë se tifozë të Tiranës ishin të përfshirë në këtë incident, duke reaguar ndaj sjelljeve provokuese të polakëve përgjatë ditës.

Goditje me mjete të forta dhe thyerje xhamash janë raportuar nga vendi i ngjarjes.

Për të vënë situatën nën kontroll, autoritetet shqiptare angazhuan forca të shumta policore, të cilat ndërhynë për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës dhe për të garantuar sigurinë publike. /AutoPortali

TË FUNDIT