Drama e gjatë e transferimit të Edon Zhegrovës duket se po hyn në kapitullin e saj të fundit.
Sipas gazetarit të njohur belg, Sacha Tavolieri, sulmuesi kosovar është shumë pranë kalimit te gjiganti francez Olympique de Marseille, ndërsa palët janë në pritje të mbylljes së detajeve të fundit.
Një nga pengesat kryesore që kishte vonuar marrëveshjen ishte problemet me pasaportën e Zhegrovës e që tanimë është zgjidhur me sukses, çka i hap rrugë finalizimit të transferimit në ditët në vijim.
Ylli kosovar dhe klubi francez kanë arritur akord për një kontratë 5-vjeçare, ndërsa vetë Zhegrova ka shprehur në mënyrë të qartë dëshirën për t’iu bashkuar skuadrës së trajnerit Roberto De Zerbi, i cili e konsideron lojtarin një element kyç për repartin ofensiv.
Në këtë fazë, takimi vendimtar mes Lille (LOSC) klubi aktual i Zhegrovës dhe Marseille (OM) pritet të zhvillohet shumë shpejt për të përmbyllur marrëveshjen.
Nëse gjithçka shkon sipas pritjeve, 25-vjeçari nga Prishtina do të zyrtarizohet si përforcimi më i ri i klubit nga jugu i Francës.
Zhegrova ka shkëlqyer me Lille në Ligue 1, duke u bërë një nga lojtarët më të spikatur të ekipit me paraqitjet e tij kreative, driblimet dhe pasimet decizive.
Kalimi i tij te Marseille shihet si një hap i madh për karrierën e tij dhe një mundësi për të shkëlqyer në një klub me histori të madhe evropiane.
Për Marseille-n, afrimi i Zhegrovës është pjesë e një strategjie të qartë për të rindërtuar një ekip konkurrues në Ligue 1 dhe për të pasur sukses në garat ndërkombëtare. Roberto De Zerbi, i njohur për futbollin ofensiv dhe punën me lojtarët teknikë, pritet të jetë trajneri ideal për të nxjerrë në pah potencialin e plotë të futbollistit kosovar. /AutoPortali



