Në 24 orët e fundit, në territorin e Kosovës janë raportuar 51 aksidente trafiku, ku fatkeqësisht një ka përfunduar me fatalitet.
Rasti tragjik ka ndodhur në Zabel të Ulët të Drenasit, ku si pasojë e një vetaksidenti ka humbur jetën një fëmijë. Policia e Kosovës ka konfirmuar se aksidenti është veturë e vetme, ndërsa hetimet për shkaqet janë në proces.
Përveç këtij rasti me pasoja fatale, 50 aksidente të tjera janë regjistruar me dëme materiale apo lëndime të lehta.
Po ashtu, gjatë kësaj periudhe Policia e Kosovës ka shqiptuar 1,916 gjoba trafiku, si pjesë e kontrolleve të rregullta dhe fushatave për siguri në rrugë.

Autoritetet apelojnë për kujdes të shtuar në komunikacion, veçanërisht në zonat urbane dhe ato të banuara, për të parandaluar tragjedi të ngjashme dhe për të garantuar sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në trafik.



