Ish-portieri i Kombëtares së Kosovës dhe aktualisht drejtori sportiv, Samir Ujkani, ka dhënë një intervistë për gazetën italiane Tuttosport, ku ka komentuar kalimin e Edon Zhegrovës te Juventusi.
Sipas gazetës, ky transferim është një fitore për Kosovën dhe një sinjal i rritjes së futbollit kosovar në arenën evropiane.
Ujkani, i cili ka ndërtuar një karrierë të gjatë si portier në Itali me ekipe si Palermo, Torino dhe Empoli, theksoi rëndësinë e këtij hapi për Zhegrovën, duke e cilësuar si një lojtar që mund të ndikojë drejtpërdrejt në sezonin e Juventusit.
“Ai është një lojtar i nivelit të lartë. Ka aftësi driblimi të rralla dhe është përmirësuar shumë fizikisht. Tani është gati për një përvojë ndryshe dhe Juventusi është klubi ideal për të”, tha Ujkani.
Ai theksoi se Zhegrova është një lojtar teknikisht i rafinuar, me një aftësi të rrallë për të kaluar kundërshtarët në situata një kundër një.
Sipas Ujkanit, kjo është një nga arsyet pse Juventusi ka bërë një lëvizje të zgjuar duke e marrë atë.
Një kujtim i veçantë që Ujkani ndau ishte asistimi për golin e parë të Zhegrovës me kombëtaren në një miqësore kundër Madagaskarit një moment që e lidh emocionalisht me të.
“E këshillova Zhegrovën të zgjidhte Juventusin për shkak të trajnerit Tudor. Ai është në moshën ideale për të shpërthyer dhe për t’u afirmuar në Serie A.”
Ai konfirmoi gjithashtu se kishte pasur interesim nga klube të mëdha si Barcelona, Real Madridi dhe Napoli, por që Juventusi arriti ta bindte lojtarin.
Sipas Ujkanit, Zhegrova është përmirësuar ndjeshëm që nga koha te Lille, veçanërisht në aspektin taktik dhe fizik. Ai shtoi se lojtari është tani më i pjekur dhe gati për sfida të mëdha.
Në fund, Ujkani shpjegoi se vendimi për të mos e përfshirë Zhegrovën në angazhimet e fundit me kombëtaren ishte për të lehtësuar përshtatjen e tij me Juventusin.
Ai shprehu ambicien që Kosova të kualifikohet në Kampionatin Evropian, pavarësisht vështirësive që kanë për shkak të statusit të lojtarëve jashtë BE-së. /AutoPortali



