Turqia mposhti Serbinë në EuroBasket
T

Turqia mposhti Serbinë në EuroBasket

Turqia ka regjistruar fitoren e pestë radhazi në fazën e grupeve të Eurobasket, duke triumfuar ndaj Serbisë në një ndeshje të fortë dhe emocionuese të zhvilluar në Riga.

Me rezultatin përfundimtar 95:90, Turqia e mbyll Grupin A në krye të tabelës, ndërsa Serbia renditet e dyta, duke u përballur me një kundërshtar më të vështirë në fazën eliminatore, transmeton AutoPortali.

Edhe pse fillimi nuk ishte premtues për turqit, ata arritën të rikthehen shpejt në lojë falë paraqitjes mbresëlënëse të qendrës së tyre Alperen Sengun.

Ishte pikërisht ai që i dha epërsinë e parë Turqisë në minutat e para të çerekut të parë (13:11), i cili u mbyll me një diferencë të ngushtë: 19:18 në favor të Turqisë.

Në periodën e dytë, Serbia, e udhëhequr nga ylli i NBA-së Nikola Jokić, riktheu kontrollin dhe shkoi në pushimin mes pjesëve me epërsi 49:46.

Loja vazhdoi me të njëjtin intensitet edhe në çerekun e tretë, ku avantazhi kalonte herë tek njëra, herë tek tjetra skuadër.

Para dhjetë minutave të fundit, Turqia kishte një pikë më shumë (74:73), duke paralajmëruar një fund dramatik.

Serbia nisi më mirë çerekun e fundit, duke marrë epërsinë 83:79 dhe duke e çuar rezultatin në 88:84 katër minuta para përfundimit.

Por Turqia reagoi fuqishëm në minutat vendimtare. Cedi Osman dhe Sehmus Hazer ishin të saktë në momente kyçe, ndërsa Alperen Sengun, me një paraqitje të jashtëzakonshme, vulosi fatin e takimit në favor të skuadrës së tij.

Alperen Sengun ishte padyshim lojtari i ndeshjes, me një performancë dominante: 28 pikë, 13 kërcime dhe 8 asistime, duke u bërë faktori vendimtar në këtë fitore të madhe për Turqinë.

Dyshja shqiptare që përfaqësojnë Turqinë në këtë turne, Erxhan Osmani dhe Kenan Spahiu, patën gjithashtu rol në suksesin e ekipit.

Osmani shënoi 10 pikë, ndërsa Spahiu kontribuoi me 5 pikë, duke konfirmuar rritjen e tyre si lojtarë të rëndësishëm në rotacionin e skuadrës.

Pas kësaj fitoreje, Turqia do të përballet me Suedinë në fazën e 1/16-ës, një kundërshtar që siguroi vetëm një fitore në grupe. Serbia, nga ana tjetër, do ta ketë më të vështirë, pasi do të përballet me Finlandën në një sfidë që pritet të jetë shumë e balancuar.

TË FUNDIT