Mediumi suedez: Kemi humbur dinjitetin
M

Mediumi suedez: Kemi humbur dinjitetin

Fitorja historike e Kosovës 2:0 ndaj Suedisë në ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës 2026 ka shkaktuar reagime të forta në shtypin suedez.

Mediat në Skandinavi nuk janë kursyer në kritikat ndaj kombëtares së tyre, ndërsa e kanë përshkruar ndeshjen si një moment të errët për futbollin suedez.

Një nga zërat më kritikë ishte ai i gazetarit të njohur të Sportbladet, Simon Bank, i cili në një koment të publikuar pas ndeshjes shkroi se Suedia nuk humbi vetëm tri pikë, por edhe dinjitetin në përballjen me Kosovën.

“Pas kësaj mbrëmjeje në Prishtinë, nuk do të flasim më për Kupën e Botës. Do të flasim për baziken, si të luajmë futboll në përgjithësi. Të humbësh ndeshje është një gjë. Të humbësh dinjitetin sikur tani është diçka krejt ndryshe,” shkroi ai.

Gazetari suedez e pranoi se ishte tronditur nga loja e dobët e Suedisë, ndërsa vlerësoi fuqishëm performancën e Kosovës, që sipas tij jo vetëm dominoi me rezultat, por edhe në aspektin taktik dhe organizativ.

“Më goditi fort në fytyrë dhe, në mënyrë të çuditshme, më bëri të ndihem i gjallë. Faleminderit për këtë, Kosovë,” shtoi Bank në analizën e tij.

Sipas tij, një nga problemet më të mëdha të Suedisë është mungesa e ekuilibrit mes repartit të sulmit dhe atij të mbrojtjes, duke theksuar se ndërsa Suedia ka emra të njohur në ofensivë, nuk e përballon dot presionin kur ndodhet në vështirësi.

“Ky ekip ka sulm, por nuk ka mbrojtje. Dhe kur përballesh me një ekip si Kosova, që di çfarë kërkon në fushë, zbulohet çdo dobësi,” përfundon ai.

Fitorja e Kosovës ndaj Suedisë është cilësuar si një nga sukseset më të mëdha të kombëtares që prej pranimit në FIFA dhe UEFA, ndërsa ka rikthyer shpresat për një paraqitje historike në Kampionatin Botëror “SHBA, Kanada & Meksikë 2026”.

TË FUNDIT