Andrea Kimi Antonelli ka qenë nën kritika së fundmi, fillimisht nga ish-kampionët Villeneuve dhe Rosberg, dhe tani edhe nga vetë shefi i Mercedes-it, Toto Wolff.
Pas një gare të dobët në Monza, ku Antonelli përfundoi i nënti dhe bëri disa gabime, Wolff e quajti performancën e tij “zhgënjyese”, një ton ndryshe nga mbështetja pa kushte që i ka dhënë deri tani.
Antonelli kishte një kualifikim të fortë (vetëm 0.043 sekonda pas Russell), por gara tregoi mungesën e përvojës: humbje vendesh në nisje, gabime gjatë garës dhe një penalizim për manovër të rrezikshme kundër Albon. Aktualisht, bilanci me Russell është 2–17 në kualifikime dhe 0–19 në gara.
Wolff e pranoi që Antonelli ka talent të jashtëzakonshëm, por duhet të ndalet me gabimet dhe të çlirohet nga “bagazhi mendor” i performancave të kaluara. Ai pret që në Baku, një pistë që Antonelli e njeh, të zhvillojë një fundjavë pa gabime.



