Kombëtarja e Gjermanisë ka fituar titullin kampion të Evropës në basketboll, duke mposhtur Turqinë në një finale dramatike të zhvilluar të dielën mbrëma në Riga. Rezultati përfundimtar ishte 88:83 në favor të gjermanëve.
Ky është titulli i dytë evropian për Gjermaninë në histori, pas atij të vitit 1993, ndërsa në vitin 2005 kishte fituar medaljen e argjendtë dhe në 2022 atë të bronztë. Gjermania mban aktualisht edhe titullin e kampionit të botës.
Ndeshje dramatike deri në sekondat e fundit
Finalja ishte jashtëzakonisht e ngushtë dhe u vendos vetëm në momentet e fundit. Pas një fillimi të fortë nga Gjermania në çerekun e parë (24:22), Turqia mori kontrollin në pjesën e dytë dhe shkoi në pushim me epërsi 46:40. Edhe në fund të çerekut të tretë, Turqia udhëhiqte ngushtë me 67:66.
Drama kulmoi në periudhën e fundit, kur Turqia shkëputet në 72:66, por gjermanët reaguan fuqishëm. Isaac Bonga kaloi Gjermaninë në epërsi 77:76 me një trepikësh 3:38 minuta para fundit. Pas disa shkëmbimeve rezultati ishte 86:83, falë Dennis Schroder, i cili realizoi katër pikë vendimtare 19 sekonda para fundit.
Alperen Sengun dhe Cedi Osman tentuan të rikthenin Turqinë me gjuajtje për tri pikë, por pa sukses. Schroder i vulosi shifrat përfundimtare në 88:83.
Statistikat kryesore të finales:
Gjermania:
Isaac Bonga: 20 pikë, 5 kërcime, 3 asistime
Franz Wagner: 18 pikë, 8 kërcime
Dennis Schroder: 16 pikë, 12 asistime, 3 kërcime
Turqia:
Alperen Sengun: 28 pikë, 3 kërcime, 3 asistime
Cedi Osman: 23 pikë, 5 kërcime
Shane Larkin: 13 pikë, 9 asistime, 6 kërcime
Kjo ishte medalja e dytë e argjendtë për Turqinë në historinë e Eurobasket, pas asaj të vitit 2001.
Turneu vlerësohet si një nga më të mirët në histori
Eurobasket 2025 është cilësuar si një nga turnetë më emocionues në historinë e këtij kompeticioni, me përballje të forta dhe nivel të lartë të basketbollit evropian. /AutoPortali



