Lidhja, jeta, ndarja dhe raporti në mes ish-çiftit Shakira – Gerard Pique ka zënë shumë hapësira në botën mediatike, për një kohë të gjatë.
Shakira ka folur edhe njëherë për ish të dashurin e saj, duke bërë zbulime të reja për historinë e tyre të dashurisë, që zgjati 12 vite. “Për një kohë të gjatë e lashë karrierën time pas dore, për të qenë pranë Gerardit, që ai të luante futboll. Kam bërë shumë sakrifica për dashurinë”, tha ylli i pop-it për “Sunday Times”.
Artistja kolumbiane u largua nga Miami dhe u transferua në Barcelonë për dashurinë e futbollistit spanjoll. Më pas, nga lidhja me Pique mbërritën fëmijët e tyre Milan dhe Sasha. Kësisoji, Shakira e la mënjanë karrierën e saj ndërkombëtare.

Për këngëtaren, albumi i radhës (i cili del në treg 7 vite pas atij të mëparshmit) përfaqëson “transformimin e dhimbjes në kreativitet, zhgënjimin në produktivitet, zemërimin në pasion, vulnerabilitetin në elasticitet”.
Kjo tregon edhe forcën e madhe të Shakirës: “Kishte kaq shumë pjesë të jetës sime që m’u shkatërruan para syve. Më duhej të rindërtoja veten në një farë mënyre, duke marrë kockat nga dyshemeja dhe bashkuar ato. Ngjitësi që i mbante të gjitha ishte muzika”.
E pyetur nëse kjo këngë e re ka lidhje me ish-futbollistin, Shakira shpjegoi: “Shpresoj të jetë kënga e fundit që shkruaj për të. Ndjeva sikur kisha ende diçka të mbërthyer në fyt, duhej ta nxirrja jashtë”.



