Aryna Sabalenka nuk do të marrë pjesë në edicionin e sivjetshëm të China Open, për shkak të një dëmtimi të lehtë të pësuar gjatë fushatës fituese në US Open.
Bjellorusja, që këtë muaj fitoi titullin e saj të dytë radhazi në Flushing Meadows dhe Grand Slam-in e katërt në karrierë, tha në një deklaratë për organizatorët se do të fokusohet në rikuperim të plotë për pjesën tjetër të sezonit.
“Me trishtim njoftoj tërheqjen time nga China Open, pas një dëmtimi të vogël që pësova pas US Open. Do të përqendrohem që të jem 100% e shëndetshme për pjesën tjetër të vitit”, u shpreh Sabalenka.
Vitin e kaluar, ajo arriti deri në çerekfinale të këtij turneu të kategorisë WTA 1000.
Ndërkohë, Coco Gauff është kampionia në fuqi e turneut, i cili do të zhvillohet në Qendrën Kombëtare të Tenisit në Pekin, nga 24 shtatori deri më 5 tetor.



