Montezemolo i dërgon mesazh të qartë Ferrarit
M

Montezemolo i dërgon mesazh të qartë Ferrarit

Ish-presidenti i Ferrarit, Luca Cordero di Montezemolo, ka vlerësuar lart pilotin Charles Leclerc, duke e cilësuar si një kampion të vërtetë, por ka lëshuar një paralajmërim të qartë për ekipin italian: “Duhet t’i jepni një makinë që të mund të fitojë titullin”.

Në një intervistë gjatë premierës së dokumentarit të tij “Luce: Seeing Red”, Montezemolo theksoi se Leclerc, pavarësisht moshës së re, po humb vite të çmuara në pritje të një monopostoje konkurruese.

“Leclerc është një pilot i shkëlqyer, por vitet po kalojnë. Ai sheh brezin e ri si Norris dhe Piastri që po fitojnë, ndaj e kuptoj frustrimin e tij”, u shpreh Montezemolo.

Sipas tij, Leclerc ka treguar mentalitetin e një kampioni edhe në vitet më të vështira me Ferrarin, veçanërisht në periudhën 2020–2022, kur ekipi nuk ishte në nivelin e duhur. Edhe këtë sezon, me një SF-25 zhgënjyese, Leclerc vazhdon të japë maksimumin.

“Charles është i detyruar të shtyjë fort nga xhiroja e parë në të fundit me një makinë që nuk është konkurruese. Ai e meriton të ketë në dorë një makinë fituese”, përfundoi Montezemolo.

Leclerc do të kërkojë të thyejë mungesën e fitores këtë fundjavë në Çmimin e Madh të Azerbajxhanit, një pistë ku historikisht ka shkëlqyer. Një fitore do të ishte vendimtare për moralin e tij dhe për të ardhmen e tij në Maranello.

TË FUNDIT