Barcelona do të jetë pa një nga talentet më të mëdhenj në ndeshjen hapëse të Ligës së Kampionëve këtë sezon.
Trajneri Hansi Flick konfirmoi në konferencën për shtyp se Lamine Yamal nuk do të jetë i gatshëm për sfidën ndaj Newcastle United, që zhvillohet të enjten mbrëma, transmeton AutoPortali.
Sulmuesi 17-vjeçar, i konsideruar si një nga yjet në ngritje të futbollit evropian, po rikuperohet nga një problem fizik dhe stafi teknik po vepron me kujdes për të shmangur ndonjë dëmtim më serioz.
“Lamine Yamal? Ai nuk mund të luajë nesër,” deklaroi Flick.
“Nuk e di nëse do të jetë gati për ndeshjen e së dielës ndaj Getafe. Nuk duhet ta nxitojmë. Kur të rikthehet, duhet të jetë 100% i gatshëm, jo 80%. Ai është ende shumë i ri dhe duam të kujdesemi për të.”
Mungesa e Yamal është komentuar edhe nga trajneri i Newcastle, Eddie Howe, i cili shprehu keqardhje për mungesën e një lojtari që, sipas tij, e zbukuron çdo ndeshje.
“Është për të ardhur keq që Lamine Yamal nuk do të luajë. Më vjen keq që nuk do të kemi mundësinë të shohim më të mirën e tij në këtë përballje,” u shpreh tekniku anglez.
Pavarësisht mungesës së Yamal, Barcelona do të synojë të fillojë me fitore rrugëtimin në këtë edicion të Champions League, përballë një Newcastle të etur për sukses dhe rikthim në elitën evropiane.



