Piloti spanjoll Marc Marquez ka fituar garën e Çmimit të Madh të San Marinos në MotoGP, zhvilluar në Misano.
Në vendin e dytë u klasifikua piloti italian i Aprilia, Marco Bezzecchi, ndërsa në të tretin u rendit spanjolli Alex Marquez me Ducati Gresini.
Fitorja e fundit e afron edhe më shumë Marc Marquez me titullin kampion këtë sezon.
Ai mund ta festojë atë në garën e ardhshme, në Japoni, në rast se fiton. Për sa i përket garës në Misano, ajo ishte një sfidë dyshe mes dy të parëve. Marc Marquez mori kreun në mesin e garës dhe e ruajti atë deri në fund.
Bezzecchi nuk u dorëzua dhe dy pilotët luftuan “rrotë më rrotë” për fitoren, por Marc Marquez arriti të fitojë.
Garë për t’u harruar kjo për Francesco Bagnaia, që u tërhoq, ndërsa Morbidelli dhe Di Giannantonio me VR46, u renditën në vendet 4-5.




