Kampionia e Kosovës në basketboll, Trepça, u eliminua në çerekfinale të raundit kualifikues të Ligës së Kampionëve, pas humbjes nga kampioni i Holandës, Heroes Den Bosch, me rezultat 80:68, në ndeshjen e zhvilluar të hënën mbrëma në Samokov, Bullgari.
Mitrovicasit nisën fuqishëm, duke fituar çerekun e parë 27:19, por Den Bosch e përmbysi ndeshjen në periodën e dytë (21:9) dhe mbylli pjesën e parë në epërsi 40:36.
Holandezët thelluan avantazhin në të tretën (24:20), ndërsa tentativa për rikthim e Trepçës në periodën e fundit dështoi.
Chad Brown u dallua te Trepça me një “double-double” prej 11 pikësh dhe 10 kërcimesh, ndërsa JaCori Payne shënoi 15 pikë me pesë asistime dhe Drilon Hajrizi kontribuoi me 10 pikë e pesë kërcime.
Te Den Bosch u dalluan Kerwin Walton me 14 pikë, Menno Dijkstra dhe Keevan Veinot me nga 13 pikë secili.
Përkundër humbjes, Trepça pati përkrahje të madhe në tribuna nga mbi 200 tifozë të “Torcidës” që udhëtuan nga Mitrovica.
Pas eliminimit, Den Bosch kalon në gjysmëfinale ndaj Bakken Bears nga Danimarka, ndërsa Trepça vazhdon garën evropiane në fazën grupore të FIBA Europe Cup.
Kjo ishte paraqitja e dytë historike e Trepçës në Ligën e Kampionëve, pas suksesit të vitit të kaluar ndaj Keravnos. /AutoPortali



