Jose Mourinho është emëruar trajner i ri i Benficës, duke zëvendësuar Bruno Lage dhe firmosur një kontratë 2-vjeçare me klubin portugez.
Kontrata përfshin një klauzolë të veçantë, e cila lejon ndërprerjen e saj me marrëveshje të ndërsjellë brenda 10 ditëve pas përfundimit të sezonit 2025-26, duke i dhënë fleksibilitet të dy palëve.
Sipas mediave portugeze, Mourinho do të përfitojë 6 milionë euro neto në vit, plus bonuse suksesi një shumë më e ulët krahasuar me të ardhurat që kishte në klubet e mëparshme, si te Fenerbahçe, ku fitonte 15 milionë euro në vit.
Ky rikthim te Benfica ka vlerë simbolike për Mourinhon, pasi në vitin 2000 ai e nisi pikërisht aty aventurën si trajner i ekipit të parë.
Tani, pas 25 vitesh, legjenda portugeze kthehet në vendin ku nisi gjithçka, për të shkruar një kapitull të ri në karrierën e tij. /AutoPortali



