Te Ferrari flasin për tensionin në Azerbajxhan
T

Te Ferrari flasin për tensionin në Azerbajxhan

Një incident i brendshëm te Ferrari shënoi fundin e Çmimit të Madh të Azerbajxhanit, pasi Lewis Hamilton nuk zbatoi urdhrin e skuadrës për t’ia kthyer pozicionin Charles Leclerc-it në xhiron e fundit.

Leclerc, që pati probleme me sistemin hibrid të motorit, u lejua të parakalohej nga Hamilton për t’i dhënë këtij të fundit një shans të sulmonte Lando Norrisin. Por kur ky sulm dështoi, Hamilton u urdhërua t’ia kthente vendin Leclerc-it, gjë që nuk ndodhi plotësisht, pasi britaniku frenoi shumë vonë, duke kaluar vijën e finishit pa bërë shkëmbimin.

Shefi i Ferrari-t, Fred Vasseur, tha se “Hamilton gaboi në vlerësimin e vijës së finishit”, ndërsa vetë Hamilton e quajti incidentin një “gabim prej katër të dhjetash” dhe i kërkoi ndjesë Leclerc-it.

Pas garës, Leclerc reagoi me zhgënjim në radio: “Nuk më intereson, ishte për vendin e tetë, le ta shijojë ai”.

Ferrari e mbylli garën me një rezultat modest, përkundër potencialit që kishte treguar në stërvitje. Vonesa në kualifikime dhe problemet teknike e penguan skuadrën të luftonte për pozita më të larta.

TË FUNDIT