Felipe Massa do të paraqitet muajin e ardhshëm në Gjykatën e Lartë të Drejtësisë në Londër, për shkak të pretendimeve se u dëmtua padrejtësisht në garën për titullin e Kampionatit Botëror të Formula 1 në vitin 2008.
Kujtojmë se në atë vit, Massa e humbi titullin në kthesën e fundit të Çmimit të Madh të Brazilit, por ai beson se kampioni ishte vendosur disa javë më herët, në Çmimin e Madh të Singaporit. Ai pretendon se Flavio Briatore dhe Nelson Piquet Jr. manipuluan garën që Fernando Alonso të fitonte, gjë që do ta ndihmonte të rinovonte kontratën e tij.
Massa është i bindur se incidenti i shkaktuar nga Piquet në atë garë çoi në një flamur të kuq (ndërprerje gare), pas së cilës mekanikët e Ferrarit harruan të shkëputnin zorrën e karburantit nga makina e tij. Ai e tërhoqi makinën me zorrën e lidhur, çka e detyroi të tërhiqej nga gara pa marrë asnjë pikë.
Kjo humbje rezultoi vendimtare, Massa e humbi titullin për vetëm një pikë ndaj Lewis Hamilton-it, ndaj garën e Singaporit ai e konsideron thelbësore në këtë rezultat.

Sipas gazetës The Times, Massa po kërkon gjithashtu një shumë marramendëse si kompensim financiar për dëmin e pësuar, rreth 70 milionë euro, për humbjen e sponsorizimeve dhe të ardhurave nga marketingu.
Data e saktë e seancës gjyqësore ende nuk është përcaktuar, por pritet të mbahet në tetor, brenda pak javësh.




