Pothuajse pesë vjet pas aksidentit të rëndë gjatë Çmimit të Madh të Bahreinit, francezi Romain Grosjean (39 vjeç) do të ulet sërish në timonin e një makine të Formula 1.
Kujtojmë se në nëntor të vitit 2020, Grosjean pati një aksident të frikshëm në pistën e Sakhir-it. Makina e tij u përplas me barrierën me shpejtësi 225 km/h, u nda në dysh dhe u përfshi nga flakët. Për fat të mirë, ai arriti të dalë vetë nga makina pas 28 sekondash, duke pësuar vetëm djegie të lehta në duar dhe kyçe. Më vonë deklaroi se kishte menduar se do të vdiste, por u motivua të shpëtonte për hir të fëmijëve të tij.
Pas aksidentit, Grosjean humbi dy garat e fundit të sezonit 2020 dhe nuk është rikthyer më në Formula 1, deri tani. Të premten, ai do të testojë makinën Haas VF-23 në pistën Mugello.
“Nuk mund ta besoj që kanë kaluar gati pesë vjet, por të rikthehem dhe të kem këtë mundësi me ish-ekipin tim është diçka shumë e veçantë”, tha Grosjean.
Shefi i ekipit Haas, Ayao Komatsu, i cili ka qenë inxhinier i Grosjean te Haas dhe Lotus, do të jetë përsëri në të njëjtin rol gjatë testimit në Mugello.
“Jam i lumtur që e mirëpres përsëri Romain-in në një makinë të Formula 1 pas kaq vitesh – dhe jam veçanërisht krenar që po rikthehet në njërën nga makinat tona. Ne kemi punuar së bashku gjatë gjithë karrierës së tij në F1, ndaj ky test ka domethënie të veçantë për të dy”, deklaroi Komatsu.
Pas largimit nga F1, Grosjean kaloi në IndyCar në vitin 2021, ku garoi për Dale Coyne Racing, Andretti Autosport dhe Juncos Hollinger Racing.
Në testimin në Mugello, ai do të përdorë helmenën që është dizajnuar nga fëmijët e tij, të cilën kishte planifikuar ta vishte në garën e tij të fundit në Abu Dhabi në vitin 2020.



