Real Madrid vendos për të ardhmen e Endrick
R

Real Madrid vendos për të ardhmen e Endrick

Endrick, një nga talentet më të mëdhenj të futbollit brazilian dhe pjesë e Real Madridit, po përballet me një situatë delikate në “Santiago Bernabeu”.

Me ardhjen e trajnerit të ri Xabi Alonso, sulmuesi 18-vjeçar ka parë një ulje të ndjeshme të minutave në fushë, ndryshe nga koha kur drejtohej nga Carlo Ancelotti, i cili e kishte përfshirë në rotacionin ofensiv të ekipit, transmeton AutoPortali.

Pavarësisht pritshmërive të larta dhe talentit të padiskutueshëm, Endrick nuk po gjen hapësirën e duhur në një repart sulmues të mbushur me emra të mëdhenj, gjë që ka shtyrë bordin drejtues të Real Madridit të shqyrtojë mundësinë e huazimit të tij në afatin kalimtar të janarit.

Sipas raportimeve të “Defensa Central”, klubi madrilen ka dhënë dritën jeshile për oferta huazimi, me kusht që skuadra pritëse të garantojë minuta të rregullta loje për sulmuesin brazilian.

 

Juventusi dhe Real Sociedad në garë për Endrick

Interesimi për lojtarin është i lartë. Juventusi ka shfaqur interes konkret, ndërsa brenda La Ligës, Real Sociedad ka kontaktuar me klubin për të diskutuar mundësinë e një huazimi të mundshëm.

Real Madridi nuk planifikon ta shesë Endrick, por e sheh largimin e përkohshëm si hap të rëndësishëm për zhvillimin e tij profesional, duke qenë se minutat në ekipin aktual janë të kufizuara.

 

Endrick dëshiron të qëndrojë

Pavarësisht kësaj, vetë Endrick nuk preferon një largim. Ai dëshiron të qëndrojë në Madrid dhe të luftojë për vendin e tij në ekip, duke ndjekur shembullin e bashkëkombësit të tij Vinicius Jr., i cili kaloi një periudhë të ngjashme vështirësie para se të shpërthente si lider i ofensivës madrilene.

Megjithatë, klubi e konsideron huazimin si alternativën më të mirë për të ruajtur ritmin e lojës dhe për t’i dhënë Endrickut mundësinë të rritet në një ambient me më pak presion.

 

Janari vendimtar për të ardhmen e tij

Muaji janar pritet të jetë vendimtar për të ardhmen e afërt të Endrick. Vendimi përfundimtar do të merret në bashkëpunim mes klubit, stafit teknik dhe vetë lojtarit, ndërkohë që interesimi nga klubet e mëdha evropiane po shtohet dita-ditës.

TË FUNDIT