Norris flet si lider në Formula 1
N

Norris flet si lider në Formula 1

Gara për titullin e kampionit botëror në Formula 1 për vitin 2025 është më e ndezur se kurrë dhe po bëhet gjithnjë e më spektakolare. Lando Norris kryeson me 357 pikë, ndërsa shoku i tij i skuadrës, Oskar Piastri, ka 356. Vetëm një pikë i ndan dy pilotët e McLarenit, ndërsa Max Verstappen mbetet ende në lojë, 36 pikë nga kreu, pas Çmimit të Madh të Qytetit të Meksikos. Mbeten edhe katër gara dhe dy Sprinte, që do të shpallin kampionin e ri të botës. Lufta do të jetë e ashpër, por një gjë është e sigurt: rikthimi i Verstappenit që dukej i pandalshëm, tani ka përballë një Lando Norris që nuk dorëzohet.

“Nuk ishte një garë e lehtë. Duhej të menaxhoja gomat, temperaturat, gjithçka. Duhej saktësi në çdo xhiro, nuk është diçka e thjeshtë”, tha Norris pas garës. Britaniku arriti fitoren e tij të gjashtë të sezonit (pa harruar edhe sprintin e Majamit) dhe mbylli një fundjavë perfekte. Me këtë rezultat, ai i fshiu të gjitha dyshimet, si në kualifikuese, ashtu edhe në garë, duke fituar bindshëm.

“Në nisje isha i qetë. Startova më mirë se të tjerët, pata një kthesë të parë të pastër dhe pastaj gjithçka u bë më e lehtë”, tregon Norris, cili më tej krijoi një epërsi prej 32 sekondash. “U ndjeva shumë mirë. Çdo xhiro ishte e fortë, gjithmonë është një sfidë, por arritëm të bënim që çdo gjë të funksiononte bashkë”, shton britaniku.

Norris ka ndryshuar ritmin dhe energjinë e sezonit, në një moment kur dukej se Verstappen po rikthehej fuqishëm. Pas së premtes, Red Bulli kishte treguar përmirësime dhe shumë prisnin dominimin e zakonshëm të holandezit. Por Norris reagoi, duke e kuptuar se stilimi i tij i drejtimit në kushtet e veçanta të pistës meksikane i jepte avantazh. “Nuk ka shumë rëndësi të jesh lider, nuk më ndryshon qasjen apo mënyrën e garimit. Sa më pak të flas për këtë, aq më mirë”, thekson piloti i McLarenit. Tani historia ka marrë drejtim tjetër. Norris është sërish në krye të klasifikimit dhe po tremb si Piastrin, gjithashtu edhe Verstappenin.

TË FUNDIT