Bardhyl Canolli me Radicall SR8 ka pasur paraqitje fantastike në garën në disiplinën malore “Molika 2026”.
Anëtari i Eurogoma Racing Team, shtegun me gjatësi prej 3.9 kilometrave e kaloi për 01:52.480 dhe 01:48.947 minuta, koha e përgjithshme 03:41.427 minuta.
“Jam i kënaqur me rezultatin dhe fitoren, megjithëse mendoj se ka ende vend për përmirësime. Fitoren e sotme ia dedikoj nënës sime, e cila ndërroi jetë vetëm pak ditë më parë”, ka thënë Canolli i emocionuar pas garës.
Rrjedhimisht ai ishte më i miri në konkurrencën e njëvendësheve.

I emocionuar ishte edhe Përparim Dushi, i cili pas më shumë se tri vitesh u kthye në shtigjet e garave dhe atë në mënyrën më të mirë.
“Zhuqa” me Mitsubishi Evo 9 në cak arriti për 01:57.099 dhe 01:55.552 minuta (koha e përgjithshme 03:52.651).
Ky rezultat është rekord i ri i shtegut në konkurrencën e veturave.
“Pas një mungese bukur të gjatë, ishte ndjenjë e veçantë rikthimi në garë. Ky shteg është mjaft atraktiv, ndërsa edhe vetura punoi shumë mirë. Jam i kënaqur me rezultatin dhe fitoren edhe pse qëllimi im ishte ta shijoj ndjesinë e garës”, ka thënë anëtari i Prizreni D&G.
Në pozitën e dytë u rendit anëtari i Eurogoma Racing Team, Valon Rexhepi.
Ai me Opel Astra OPC pati kohë 01:57.674 dhe 01:57.605 minuta.
Në podium u gjend edhe Belkim Fazliu i Prizrenit D&G, i cili me Renault Megane RS në cak arriti për 01:58.415 dhe 01:58.199 minuta.
Në konkurrencën ekipore, në tri pozitat e para u renditën: Prizreni D&G, AK Ferizaj dhe Klubi Auto Kosova – Ferizaj.
Rezultatet komplete mund t’i shihni në linkun e mëposhtëm:



