McLareni po përjeton sezonin më dramatik të viteve të fundit: Lando Norris dhe Oscar Piastri po luftojnë për titullin e kampionit botëror, të ndarë vetëm nga një pikë katër gara para fundit. Situata kujton vitin 2007, kur përplasja mes Hamiltonit dhe Alonsos i hapi rrugë Kimi Raikkonenit për të fituar titullin me Ferrarin.
Ish-kampioni Mika Hakkinen e quan këtë një “skenar makthi” për McLarenin, duke theksuar se presioni mund të shpërbëjë harmoninë e ekipit.
“Pilotët dhe drejtuesit duhet të bashkëpunojnë në mënyrë perfekte. Vetëm njëri mund të fitojë, por të gjithë duhet të mendojnë për ekipin”.
Në pesë garat e fundit, Norris ka qenë më i fortë se Piastri, ndërsa analistët si Damon Hill dhe Juan Pablo Montoya mendojnë se forma aktuale e britanikut është më e qëndrueshme.
Ndërkohë, Max Verstappen po afrohet me shpejtësi, diferenca me kreun është ulur në vetëm 36 pikë. Nëse pilotët e McLarenit vazhdojnë të luftojnë mes tyre, mund të përsëritet historia e 2007-ës, kur fituesi ishte dikush tjetër.



