Është vetëm 10 vjeç, por po hedh hapa të mëdha në karrierën e tij në sportin e automobilizmit. Rohan Yzeiraj, pas një sezoni të suksesshëm në kampionatin italian të kartingut, “Rotax Max Italia”, ku u rendit në vendin e gjashtë mes 21 pjesëmarrësve, është përzgjedhur nga një legjendë e Formulës 1 për të qenë pjesë e “Driver School Academy”.
Rohani është zgjedhur nga Kimi Raikkonen për t’iu bashkuar akademisë së ish-kampionit të botës në Formula 1. Një akademi nga më prestigjiozet, e drejtuar nga ishpiloti i Ferrarit. Prej më shumë se tre vitesh, Rohani stërvitet dhe është pjesë e botës së garave karting, një kategori e automobilizmit nga e cila kanë dalë edhe kampionët e mëdhenj të Formulës 1.
“Këto gara janë shumë të bukura për mua, pasi kanë një shpejtësi që më jep adrenalinën dhe më pëlqejnë shumë. Në gokarting duhet të jesh fit dhe të trajnohesh gjithmonë, sidomos qafën dhe duart që të mos të lodhen dhe koka të mos lëvizë majtasdjathtas që të mos dëmtohesh”, rrëfen Roan Yzeiraj, teksa flet për emocionet e garave karting.
Tashmë piloti i talentuar nga Shqipëria do të ketë mundësinë që të stërvitet dhe të punojë në një akademi që drejtohet nga një prej ikonave të kategorisë më të lartë të automobilizmit, siç është Kimi Raikkonen.




