Mjeku zyrtar i MotoGP, Dr. Angel Charte, ka thënë se lëndimi i shpatullës së djathtë të Marc Marquez është “shumë serioz” dhe se kampioni botëror ka bërë zgjedhjen e duhur duke u përqendruar te rikuperimi dhe sezoni i vitit 2026.
Marquez u operua pas përplasjes me Marco Bezzecchi në garën e Mandalikës dhe do të qëndrojë me krahun të palëvizshëm për katër javë përpara se të nisë rehabilitimin, duke humbur fundin e sezonit dhe testet në Valencia.
Dr. Charte sqaroi se krahu i djathtë i Marquez, i dëmtuar rëndë në aksidentin e Jerezit më 2020, kërkon kujdes të veçantë:
“Është një dëmtim serioz, sepse krahu i tij ka kaluar katër operacione. Duhet të rikthehet vetëm kur të jetë 100% i shëruar”.
Ai theksoi se dëmtimi i ri nuk ka prekur kockën e humerusit, por shtoi se rikuperimi duhet bërë me durim. Marquez pritet të kthehet në pistë vetëm në testet para-sezonale në shkurt 2026.
“Po bën gjënë e duhur. Të kthehej më herët do të rrezikonte karrierën e tij”, përfundoi Charte.




