Pep Guardiola është i bindur se Manchester City ka rigjetur energjinë pozitive që e mungonte sezonin e kaluar.
Pas triumfit të qartë 3–0 ndaj Liverpoolit të dielën, trajneri spanjoll deklaroi se skuadra e tij është kthyer në formën më të mirë dhe ka dërguar një sinjal të fortë për ambiciet e titullit.
Me këtë fitore, City ngushtoi diferencën me kryesuesin Arsenal në vetëm katër pikë, duke e shënuar në mënyrë simbolike ndeshjen e 1,000 të Guardiolës në pankinë, një performancë që ai e quajti ndër më të mirat e sezonit.
Pas një penalltie të mohuar në fillim të takimit, Erling Haaland zhbllokoi rezultatin, ndërsa Nico Gonzalez dhe Jeremy Doku vulosën suksesin e “qytetarëve” në “Etihad”.
Ky ishte një tjetër tregues i forcës së Cityt në shtëpi, ata janë të pamposhtur në tetë përballjet e fundit ndaj kampionëve në fuqi të Premierligës, me shtatë fitore dhe një barazim.
Vetëm Liverpool (16) dhe Chelsea (13) kanë pasur seri më të gjata në histori.
Edhe pse City ka grumbulluar 22 pikë pas 11 javësh, një më pak se në të njëjtën fazë të sezonit të kaluar, Guardiola beson se atmosfera në ekip është krejt ndryshe.
Sezoni i kaluar, sipas tij, u karakterizua nga mungesë energjie dhe një periudhë e vështirë dimërore që i largoi nga gara për titull.
“Atmosfera tani është shumë më pozitive,” tha Guardiola pas ndeshjes.
“Vitine kaluar e humbëm shkëndijën, nuk ishim vetvetja. Ekipi mundohej, por mungonte lidhja mes nesh. Edhe pse përfunduam të tretët, realisht mund të kishim qenë më poshtë. Pas Kupës së Botës për Klube në SHBA, ndjeva se diçka po ndryshonte dhe e shoh çdo ditë në stërvitje.”
Megjithatë, trajneri katalanas refuzoi të bëhet entuziast para kohe.
“Nuk fiton tituj në tetor apo nëntor,” paralajmëroi ai. “Ky është momenti kur duhet të rritemi, të përmirësohemi nga java në javë. Tani ndihem se po shkojmë në drejtimin e duhur. Jemi më fleksibël, luajmë në mënyra të ndryshme, dhe kjo e bën të vështirë për kundërshtarët të na lexojnë.”
Guardiola pranoi se ishte një moment i veçantë që ndeshja e tij e 1,000 si trajner erdhi kundër Liverpoolit, rivalit më të madh të Cityt në epokën e tij.
“Është gjithmonë kënaqësi të përballesh me lojtarë si Van Dijk, Robertson e Salah,” tha ai me buzëqeshje.
“Kam respekt të madh për Jurgen Klopp dhe stafin e tij – edhe asistenti im, Pep Lijnders, e ndjen pak nga ajo frymë. Ishte një mbrëmje e paharrueshme, sidomos me familjen time në stadium.” /AutoPortali



