Në fundjavë mbahet gara e tretë e kampionatit të sivjetmë në Formula 1. Cirkuiti i radhës për pilotët do të jetë ai në Melburn. Çmimi i Madh i Australisë është në edicionin e 38-të në historinë e tij dhe janë disa fakte interesante për garën. Kjo do të jetë hera e 27-të që do të mbahet në Melbourne, pasi më parë garat janë zhvilluar në qytetin e Adelaide.
Dy garat e para të këtij edicioni të Formula 1 kanë treguar se Red Bull dhe Max Verstappen janë favoritët kryesorë për t’u rikurorëzuar si kampion absolut. Verstappen dhe Perez janë 2-shja e parë në garat e para të këtij viti kalendarik. Në 2023-shin fituesi i këtij çmimi ishte pikërisht holandezi që e provoi për herë të parë suksesin në kontinentin e largët.

Rekordin për më shumë fitore në këtë pistë e mban Michael Schumacher me katër të tilla, ndërsa anglezi Lewis Hamilton mban rekordin e podiumeve, në dhjetë herë. Australia është një garë e veçantë për pilotët, pasi ndër vite fituesit kanë qenë të ndryshëm. Mjafton të përmendim që para Verstappen, ishte Leclerc që mori maksimumin nga gara e 2022-shit.
Red Bulli nuk e ka historinë me vete as me fitoret si skuadër, pasi austriakët ja kanë dalë mbanë në vetëm dy raste. Më të mirët në librat e statistikës kanë qenë McLaren me 11 suksese.
Gara për Çmimin e Madh të Australisë mbahet të dielën dhe fillon në orën 05:00 të mëngjesit sipas kohës sonë.



