Kampioni botëror i vitit 2019, Ott Tanak, ka vendosur të tërhiqet nga karriera e tij si pilot me kohë të plotë në Kampionatin Botëror të Rally (WRC) pas përfundimit të sezonit 2025, megjithëse nuk e përjashton rikthimin në të ardhmen.
Sipas njoftimit të Hyundai Motorsport, 38-vjeçari estonez e mori këtë vendim “për t’i kushtuar më shumë kohë familjes, biznesit dhe jetës përtej garave”.
“Pas shumë viteve të pabesueshme në garat e WRC, ndjej se fundi i sezonit 2025 është momenti i duhur për të bërë një hap pas. Nuk është një lamtumirë e plotë, dua të marr frymë, të kaloj më shumë kohë me familjen dhe të fokusohem në jetën time në Estoni”, tha Tanak.
Që nga debutimi i tij në vitin 2009, Tanak ka marrë pjesë në 174 gara të WRC, duke arritur 58 podiume dhe 22 fitore me ekipet M-Sport Ford, Toyota dhe Hyundai. Kulmi i karrierës së tij mbetet titulli botëror i vitit 2019 me Toyota, që i dha fund dominimit francez të Loeb dhe Ogier.
Presidenti i Hyundai Motorsport, Cyril Abiteboul, e vlerësoi lart Tanakun për kontributin e tij.
“Ai është një nga pilotët më të mirë në botë, një frymëzim brenda dhe jashtë pistës. Edhe pse po ndahemi për herë të dytë, Ott do të mbetet pjesë e familjes Hyundai”.

Tanak falënderoi ekipin dhe fansat, duke shtuar se “me siguri do të vazhdoj të jem pjesë e garave në një formë apo tjetër”.
Gara e tij e fundit si pilot me kohë të plotë do të jetë Rally i Arabisë Saudite (26–29 nëntor), ku do të vendoset edhe titulli mes Elfyn Evans dhe Sébastien Ogier. Tanak dhe bashkëpiloti i tij Martin Jarveoja pritet ta përfundojnë sezonin në vendin e katërt.



