Kampioni i botës në Formula 1, Max Verstappen, tregoi edhe njëherë klasin e tij në garën e Çmimit të Madh të Brazilit 2025, ku arriti podiumin megjithëse nisi nga pit-lane. Holandezi përfundoi i treti, vetëm një sekondë pas Kimi Antonellit dhe pranë fituesit Lando Norris.
Performanca e tij mbresëlënëse u vlerësua nga mediat botërore, ndërsa Gazzetta dello Sport e quajti “përbindësh”. Edhe vetë Norris pranoi se Verstappen ishte “më i shpejti në pistë të dielën”.
Red Bull rrezikoi duke ndryshuar motorin, çka e detyroi Max-in të nisej nga fundi, por ai arriti të rikuperojë pozicione me një ritëm të jashtëzakonshëm, pavarësisht një shpimi të gomës gjatë garës.
Pas garës, Verstappen deklaroi: “Kurrë nuk dorëzohemi. Nuk kënaqemi me vendin e dytë. Nga pit-lane në podium është arritje e pabesueshme”.

Pas fitores së Norris në Sao Paulo, diferenca mes tyre është 49 pikë, me tre gara dhe një sprint të mbetur deri në fund të sezonit. Verstappen pranoi se titulli është i vështirë, por premtoi të luftojë deri në fund.



