Pas garës katastrofike në Çmimin e Madh të Sao Paulos, ku Charles Leclerc dhe Lewis Hamilton u detyruan të tërhiqen, Ferrari ra në vendin e katërt në renditjen e konstruktorëve, vetëm tri gara para fundit të sezonit. Ky mund të jetë rezultati më i dobët i skuadrës që nga viti 2020.
Edhe pse viti 2024 i kishte afruar shumë titullit të konstruktorëve, sezoni 2025 është kthyer në zhgënjim të madh për “Skuadrën e Kuqe”.
Mediat italiane raportojnë se Ferrari po vonohet me zhvillimin e makinës për sezonin e ardhshëm, duke mbetur prapa Mercedes-it dhe McLaren-it.
Situatën e përkeqësoi më tej presidenti John Elkann, i cili në një deklaratë të rrallë publike kritikoi drejtpërdrejt pilotët e tij.
“Në Bahrein fituam kampionatin e qëndrueshmërisë, çka tregoi se kur Ferrari është i bashkuar, mund të arrijë gjëra të mëdha. Por Brazili ishte një zhgënjim i madh. Makina është përmirësuar, inxhinierët po bëjnë punë të mirë, por të tjerët nuk janë në nivelin e Ferrarit! Pilotët tanë duhet të fokusohen më shumë në ngarje dhe më pak në fjalë. Ende kemi gara të rëndësishme përpara, dhe e dyta në kampionat është ende e mundur”.
)
Këto komente kanë shkaktuar bujë në Itali, pasi Elkann rrallëherë kritikon publikisht njerëzit e ekipit. Sipas burimeve pranë Maranellos, drejtuesit e Ferrarit janë të irrituar nga mënyra se si Leclerc dhe Hamilton kanë kritikuar hapur makinën, gjë që “nuk tolerohet” brenda ekipit legjendar.
Ndërkohë, raportohet se Leclerc po shqyrton opsione të tjera për të ardhmen, mes të cilave Aston Martin, Mercedes dhe McLaren. Nëse tensionet vazhdojnë, ka gjasa që nga sezoni 2027 Ferrari të ketë një dyshe të re pilotësh, pa Leclerc dhe Hamilton.



