Pas një sezoni me rezultate të paqëndrueshme në Evropë, Andrea Kimi Antonelli shkëlqeu në Çmimin e Madh të Brazilit, duke arritur podiumin si në garën kryesore, ashtu edhe në sprint. Performanca e tij e fortë dhe e qëndrueshme mahniti tifozët dhe e vendosi sërish në qendër të vëmendjes.
Sipas shefit të Mercedesit, Toto Wolff, suksesi i Antonellit lidhet me faktin që pista e Interlagos ishte e panjohur për të, çka i uli presionin dhe i lejoi të garonte më lirshëm.
“Kur je në një pistë të re, ndonjëherë është më e lehtë, ke më pak pritshmëri dhe më pak stres. Ai ishte i fortë që nga fillimi dhe e përballoi në mënyrë të shkëlqyer duelin me Max-in”.
Wolff shpjegoi gjithashtu se më herët Antonelli kishte humbur ndjesinë me makinën pas ndryshimeve teknike në Mercedes dhe se presioni nga tifozët e media kishte ndikuar në rezultatet e tij.

Tani, me vetëbesim të rikthyer, Wolff beson se Antonelli po hyn në fazën e pjekurisë si pilot.
“Në garat e ardhshme do të shohim një djalë që po shndërrohet në burrë. Viti i ardhshëm do të jetë ai i vërtetë i mësimit, por tani po shijon momentin më të mirë të karrierës së tij”.
Mercedes, ndërkohë, ka rimarrë vendin e dytë në renditjen e konstruktorëve, me Wolff që thekson se gjithçka mund të ndryshojë në tri garat e fundit të sezonit, Las Vegas, Katari dhe Abu Dhabi.



