Arbër Hoxha me kontratë të re te Dinamo Zagrebi
A

Arbër Hoxha me kontratë të re te Dinamo Zagrebi

Anësori shqiptar Arbër Hoxha është shpërblyer nga Dinamo Zagreb me një kontratë të re afatgjatë, si rezultat i formës mbresëlënëse që ka shfaqur në fillim të këtij sezoni.

Klubi kroat pritet ta zyrtarizojë shumë shpejt marrëveshjen, e cila do ta mbajë 27-vjeçarin në “Maksimir” deri në verën e vitit 2029, dy vite më shumë se kontrata e tij aktuale.

Sipas burimeve pranë klubit, Hoxha do të përfitojë një pagë të përmirësuar, që shkon rreth 500 mijë euro në vit, si shpërblim për paraqitjet e tij të shkëlqyera në kampionat dhe në garat evropiane.

Gjatë verës, Hoxha ishte shumë pranë largimit nga Dinamo, pasi drejtuesit kroatë kishin marrë disa oferta dhe e kishin konsideruar shitjen e tij.

Megjithatë, shqiptari mbeti në skuadër dhe “i mbijetoi spastrimit” të bërë nga Zvonimir Boban.

Ai e nisi sezonin nga stoli, por me kalimin e javëve u shndërrua në një nga lojtarët më vendimtarë të ekipit.

Hoxha shënoi një gol të bukur ndaj Hajdukut në Poljud, ndërsa në ndeshjen kundër Fenerbahçes zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer që u vlerësua gjerësisht nga mediat kroate dhe ndërkombëtare.

Në 16 paraqitje këtë sezon, anësori shqiptar ka regjistruar 3 gola dhe 3 asistime në të gjitha garat.

Hoxha ka qenë protagonist në disa nga fitoret më të rëndësishme të Dinamos këtë sezon.

Në derbin ndaj Hajdukut, ai zhbllokoi rezultatin me një aksion individual spektakolar, ndërsa në fund Monsef Bakrar vulosi fitoren 2–0.

Në një tjetër ndeshje dramatike ndaj Rijekës, Hoxha realizoi një gol të pabesueshëm direkt nga goditja e këndit, duke i dhënë Dinamos tri pikë të arta dhe duke e konfirmuar si një lojtar që bën diferencën në momentet vendimtare.

Arbër Hoxha u bashkua me Dinamon në janar të vitit 2024 nga Slaven Belupo për një shumë prej 1 milion eurosh, si kërkesë e veçantë e trajnerit të atëhershëm Sergej Jakirović.

Që nga ajo kohë, ai ka zhvilluar 79 ndeshje, duke shënuar 8 gola dhe dhënë 9 asistime për klubin nga kryeqyteti kroat.

Në karrierën e tij, Hoxha ka luajtur edhe për Lokomotivën e Zagrebit, Ballkanin, Prishtinën, Istogun dhe Besën e Pejës.

Gjatë verës u përfol se Hoxha mund të ribashkohej me trajnerin Jakirović te Hull City në Angli, por transferimi dështoi për shkak të pezullimit të klubit anglez pas shkeljeve të rregullave të Fair Play Financiar.

Me kontratën e re, Dinamo Zagreb ka siguruar një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës, ndërsa Arbër Hoxha po konfirmon gjithnjë e më shumë vlerën e tij si një nga futbollistët shqiptarë më të spikatur në kampionatin kroat. /AutoPortali

TË FUNDIT